Zjarret në jug të vendit, dëme të rënda në pyje dhe faunë të egër

Zjarret që përfshinë jugun e vendit sollën pasoja të rënda në ekosistemet pyjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi, si edhe në faunë.
Për shkak të intensitetit dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve, shumë kafshë të egra u detyruan të braktisin habitatet e tyre, ndërsa të tjera pësuan dëmtime ose humbën jetën, bëri të ditur inxhinieri i pyjeve, Gligor Dushi, gjatë një interviste për RTSH.
“Sipërfaqe të tëra pyjore janë djegur bashkë me materialin drusor dhe bimët e ndodhura në këtë sipërfaqe. Një dëm të madh ka pasur edhe fauna ekzistuese në këto territore, habitate. Jemi në një periudhë që në malet tona po dëmtohet thëllëza e malit, po dëmtohet lepuri, po dëmtohet çdo specie që ekzistonte,” tha z. Dushi.
Ndër speciet më të prekura ishin gjitarët e vegjël, shpendët tokësorë dhe shumë lloje insektesh që luajnë rol kyç në rigjenerimin e pyjeve.
“Kemi pasur shumë pyje të larta, trungjishte, pisha, të cilat digjen. Këto nuk e rimarrin veten, sepse pyjet me pisha nuk mund të rizhvillohen dhe në këtë vend fillojnë e instalohen shkurret,” u shpreh inxhinieri i pyjeve.
Shumë sipërfaqe pyjore u dogjën plotësisht, duke ndikuar negativisht në funksionet ekologjike të pyjeve, përfshirë mbrojtjen e tokës nga erozioni shtoj me tej Dushi.
Gezuare Leonida Koçiu
/rtsh.al/