Zjarret në vend/ Temperaturat mbi 40 gradë, 19 vatra ende aktive, situata mbetet kritike

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 50 vatra zjarri në të gjithë vendin, 19 prej të cilave vijojnë ende të jenë aktive në disa qarqe, duke rrezikuar zona të banuara, sipërfaqe pyjore dhe pasuri publike e private.
Situata më problematike paraqitet në qarkun Vlorë, ku zjarri në afërsi të Parkut Natyror të Syrit të Kaltër po përballet me ndërhyrje intensive nga toka dhe ajri, duke përfshirë 8 mjete zjarrfikëse, 90 forca operacionale, helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe mjete ajrore nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia. Ndihmë ka ardhur edhe nga një helikopter Black Hawk i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjendje e rënduar është edhe në:
- Berat (Poliçan), ku zjarri i afruar qytetit ka detyruar evakuimin e banorëve në fshatin Plirëz dhe Rehovë.
- Tiranë, në zonat e Ibës, Damjanit, Zall-Herrit dhe Selitës, ku ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.
- Dibër (Mali me Gropa) dhe Elbasan (Gramsh), ku zjarret përfshijnë zona të mbrojtura dhe pyje në terrene të papërshtatshme për ndërhyrje tokësore.
- Gjirokastër (Tepelenë), ku janë shënuar dëme materiale në stalla bagëtish.
- Shkodër dhe Kukës, ku zjarret po monitorohen nga afër dhe nuk paraqesin rrezik për banesa për momentin.
Në terren janë angazhuar 1080 forca operacionale dhe 82 mjete zjarrfikëse, si dhe mjete ajrore ndërkombëtare, përfshirë:
- 1 avion Canadair (Kroaci)
- 2 avionë PZL (Greqi)
- 4 helikopterë Black Hawk (Shqipëri, Çeki, Sllovaki)
- 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që pritet të operojnë gjatë ditës së sotme.
Temperaturat e larta deri në 41°C dhe mungesa e reshjeve po rrisin rrezikun e përhapjes së zjarreve. Sipas IGJEO, nivelet e rrezikut janë të larta dhe shumë të larta në shumicën e qarqeve, sidomos në Shkodër (jug), Lezhë (veri) dhe Elbasan (perëndim).
Thirrje për qytetarët:
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër të dyshuar zjarri.
/vizionplus.tv