Zjarrfikësja në Gramsh në gatishmëri, masa të shtuara për mbrojtjen e turistëve nga incidentet

120 mijë turistë vizituan Gramshin vetëm gjatë vitit të kaluar, një tregues i qartë i potencialit të kësaj zone malore, e bekuar nga natyra dhe e promovuar në mënyrë aktive nga autoritetet vendore.
Strukturat e emergjencës po përshtaten për të përmbushur nevojat e reja. Shërbimi zjarrfikës i Gramshit ka kaluar në gatishmëri të plotë për tre muajt e sezonit turistik, duke forcuar praninë në terren dhe duke pajisur ekipet me mjetet dhe logjistikën e nevojshme për çdo situatë të mundshme.
“Këtë sezon veror shërbimi i zjarrfikësve i Gramshit dyfishon gatishmërinë për çdo situatë. Kjo na shton përngjashmërinë për çdo rast”, u shpreh Ilir Llapushi, Kreu i Shërbimit Zjarrfikës Gramsh.
Jo rrallë, turistët që eksplorojnë bukuritë e egra të Gramshit përballen me situata të rrezikshme – të bllokuar në shpella, kanione apo në shtigje të thella malore. Në të gjitha këto raste, forcat zjarrfikëse kanë qenë ndër të parat që kanë reaguar dhe ofruar ndihmë.
Përveç emergjencave, pjesë e gatishmërisë janë edhe patrullimet parandaluese në zonat me rrezikshmëri të lartë zjarri, siç janë pyjet dhe kullotat gjatë muajve të nxehtë të verës. Gramshi, me bukuritë e tij natyrore dhe përkushtimin e strukturave vendore, po ndërton jo vetëm një destinacion tërheqës, por edhe të sigurt për çdokënd që vendos ta eksplorojë.
/rtsh.al/