Zjarri shkrumboi rreth 50 biznese tek “5 maji”, DTI apelon për sigurimin e aktiviteteve

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (DTI), Tiranë, shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në tregun e rrobave të përdorura, ku si pasojë e një zjarri janë dëmtuar rëndë dhe janë shkrumbuar rreth 50 biznese.
Sipas DTI-së, kjo ngjarje përbën një goditje të fortë për dhjetëra familje që siguronin jetesën përmes këtyre aktiviteteve, si dhe për sipërmarrjen e vogël, një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale.
Dhoma thekson se situata duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për të gjitha bizneset mbi domosdoshmërinë e sigurimit të aktiviteteve të tyre, për t’u rikuperuar pas fatkeqësive natyrore apo aksidentale, si zjarret dhe përmbytjet, me të cilat po përballet vendi ditëve të fundit.
“Ky është një moment i rëndësishëm edhe në kontekstin e synimit të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, ku standardet e menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së biznesit janë thelbësore për qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë” thekson DTI në një njoftim për shtyp lidhur me këtë ngjarje.
/e.xh/a.f/