Zjarri tek “Sarajet”, Meta: Akt kriminal! SPAK të hetojë!

Presidenti Ilir Meta dënon zjarrvënien e qëllimshme që përfshiu monumentin e kulturës “Sarajet”, të hënën në mbrëmje. “Ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare” shkruan zoti Meta në një reagim në rrjetet sociale. Ai shton më tej se “Viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash”.
“Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë”, shton ai.
Presidenti Meta thekson se “Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit”. Zoti Meta nxit organin e Prokurorisë, SPAK si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjegjëse, të marrin çdo masë efektive për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë penale të autorëve.