“Zjerm” në vendin e 8-të, Mentor Nazarko: Rama me Makronin folën për shkëmbim nderi -12 vota Franca?

Olsi Sulejmani, menaxher i “Shkodra elektronike” në emisionin “Një Shqipëri” më Mentor Nazarkon në RTSH, ka folur për suksesin e këngës “Zjerm”, që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion.Sulejmani tha, se pikët e jurisë, nuk reflektuan atë që ‘Shkodra elektronike’ solli në skenë. Menaxheri i “Shkodra elektronike” shtoi se, ‘dihet sesi funksionojnë juritë në Eurovizion e se, ky është sistemi i votave që ka Eurovizioni’. “Për ne ishte një deluzion. Ne jemi mëse të bindur, se pikët e jurisë nuk reflektuan atë që ‘Shkodra elektronike’ solli në skenë. Ne ishim të renditur mirë, në çdo medie të rëndësishme. Çdo kritik i muzikës na kishte renditur një hap larg. Ka disa aspekte që gjykon një juri, ana kompozitive që ishte ndër më të mirat dhe artikuluarat, e dyta është prezenca skenike dhe jam i bindur që ndoshta, ishim më të mirët në këtë edicion, zëri dhe stili ishin më të mirët që kanë qenë ndonjëherë në Eurovizion. Dihet sesi funksionojnë juritë në Eurovizion. Ky është sistemi i votave që ka Eurovizioni. Mendoj se Shqipëria, nuk ka arritur kurrë aq lartë, sa i përket numrave të audiencës. ”Menaxheri foli dhe për planet për të ardhmen e afërt, duke thënë se strategjitë e mëtejshme janë strategji që i kishin ndërtuar që përpara Eurovizionit.“Strategjitë e mëtejshme, nuk janë në bazë të Eurovizionit, janë strategji që I kishim ndërtuar që më përpara. Eurovizioni na i shtyu pak. Tani do të ketë një rrjet më të gjerë, që dëgjojnë muzikën.”Shqipëria u pozicionua në Eurovizion, në vendin e 8-të, me 218 pikë, prej të cilave 173 erdhën nga publiku.Në skenën e ‘Eurovision 2025’ në Bazel, Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike, që tërhoqi vëmendjen e publikut europian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.