“Zorba the Greek” në TKOB, shfaqja në nderim të kompozitorit Mikis Theodorakis

Në skenën e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit pritet të vijë mbrëmjen e së mërkurës, koncerti “Zorba The Greek”, kushtuar veprës së kompozitorit të njohur grek Mikis Theodorakis.
I konceptuar si një rrëfim muzikor nëpër krijimtarinë e Theodorakis, koncerti do të sjellë për publikun pjesë nga ciklet më të njohura të krijimtarisë së tij artistike.
Në skenë do të ngjiten artistët e TKOBAP-së, ku baritoni Artur Vera do të mbajë peshën vokale të koncertit, i shoqëruar nga pianistja Etrita Ibrahimi.
Një element i veçantë i kësaj mbrëmjeje do të jetë prania e buzukut, instrument simbol i muzikës greke, që do të interpretohet nga Panagiotis Lympanovnos.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe që marr pjesë në projektin ‘Zorba the Greek’ së bashku me bashkëpunëtorët këtu. Do të interpretojmë muzikë të Mikis Theodorakis dhe këngë mbi poezi të Seferis, Elytis, Stritsos. Është shumë e rëndësishme për popujt e Greqisë dhe Shqipërisë që të lidhen përmes një muzike të tillë të mirë, muzike të përjetshme. Rëndësia e interpretimit të këtij kompozitori dhe recitimit të këtyre poezive është gjithmonë aktuale”, tha Panagiotis Lympanovnos, buzukist
Ky koncert pritet të ndërthurë muzikën, poezinë dhe interpretimin skenik në një përvojë të plotë artistike, duke rikthyer në vëmendje një prej figurave më të rëndësishme të muzikës mesdhetare dhe botërore.