Zyla: Greqia përdor veton ndaj Shqipërisë, siç bëri për Maqedoninë e Veriut

Greqia nuk mundi të vendosë veton kundër Shqipërisë, ndërsa analisti Julian Zyla u shpreh në emisionin “3D” se Greqia përdor çdo mjet që i lejon BE për çështjet dypalëshe.
Sipas tij, marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është precedenti më i qartë për të kuptuar sjelljen e Greqisë.
“Precedentët nuk mund të shihen nga sjellja e vendit fqinj ndaj nesh, por besoj që precedenti është i dobishëm sa i përket marrëdhënies së saj me Maqedoninë e Veriut dhe mos ngurrimi për të përdorur ato leva që rregullat e BE i lejojnë kundrejt një vendi aspirant, e drejta e vetos. Kemi parë një vend si ish-Maqedonia, sot Maqedonia e Veriut që të ndryshojë emrin pikërisht për shkak të bllokimeve të palëkundura të Greqisë. I kanë dhënë provat që aq sa i lejojnë e drejta e BE, ata do përdorin çdo mjet që kanë për çështjet dypalëshe”, u shpreh analisti.
Greqia iu bashkua letrës së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian që do të ftojnë Shqipërinë të çelë kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit në BE. Fqinji jugor i Shqipërisë nuk u pranua nga instancat europiane të vërë veton në këtë fazë e cila sipas legjislacionit europian, nuk i la shteg Greqisë që të mbivendosë çështje të trajtimit të pakicave kombëtare mbi ato të shtetit të së drejtës.
/rtsh.al/