E Martë, 3 Nëntor 2026

Zyrtar i lartë i ambasadës së SHBA përfundon shërbimin në Shqipëri, merr detyrën e re në Uashington

Zëvendës Shefi i Misionit/I Ngarkuari me Punë Demian Smith, ka përfunduar shërbimin e tij në Shqipëri, pas dy vitesh punë, duke u kthyer në Uashington për të ndërmarrë detyrën e tij të radhës.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka falënderuar Smith për udhëheqjen, mbrojtjen e fortë dhe dhembshurinë e treguar.

“Stafi i Ambasadës Amerikane i dha lamtumirën këtë javë Zëvendës Shefit të Misionit/I Ngarkuari me Punë Demian Smith pas dy vitesh shërbimi në Shqipëri. Ekipi i Ambasadës u mblodh për t’i uruar më të mirat Demian dhe familjes së tij ndërsa ai kthehet në Uashington DC për detyrën e tij të radhës. Punonjësit falënderuan Demian për udhëheqjen e tij, mbrojtjen e fortë dhe dhembshurinë që ai tregoi ndaj të gjithëve në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Do të na mungojë ngrohtësia, qëndrimi pozitiv dhe mbi të gjitha kostumi i Yjeve dhe Vijave në 4 Korrik! Gjithë të mirat Zoti Smith!”, thuhet në postimin në rrjetin social Facebook të Ambasadës.

Largimi i Smith vjen pas përfundimit të misionit të Yuri Kim si Ambasadore e SHBA në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›