Zyrtare, prishet marrëveshja PDSH-LSDM

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi të premten në mbrëmje zyrtarisht ka konfirmuar për ndërprerjen e bashkëpunimit teknik me LSDM.
"Definitivisht e ndërpresim marrëveshjen teknike me LSDM. Sjelljen e tyre unë e vlerësoj si plotësisht joserioze dhe më vjen keq për këtë parti. Marrëveshja ishte shumë e skatë dhe konkrete. Deklarata e tyre e djeshme se ata do të dëshironin të bisedonin për të gjitha komunat, përfshirë Strugën dhe Kërçovën, ishte tejmase joserioze. Në rast se do të bëhesha joserioz si ata, atëherë do ti pyesja se a do të dakordoheshin që në Shtip dhe Strumicë kandidati të jetë nga PDSH-ja. Kjo punë tashmë është definitive dhe nuk ka më bisedime dhe parabisedime", deklaroi Thaçi, para mbledhjes së kryesisë qendrore të PDSH-së, ku u përkrah vendimi për prishjen e marrëveshjes për bashkëpunim teknik me LSDM-në.
Ai paralajmëroi se PDSH në zgjedhjet e ardshme lokale do të ketë kandidatët e saj në të gjitha komunat ku shqiptarët janë shumicë apo pakicë.
Thaçi sërish ka komentuar edhe dy partitë e tjera shqiptare RDK dhe DR, duke theksuar se këto dy parti të Rufi Osmanit dhe Selmanit siç citoi ai, janë më afër LSDM dhe se ai i hap rrugën drejt LSDM-në për sukses në zgjedhjet e ardhshme lokale.
PDSH si partia më e madhe opozitare shqiptare dhe Lidhja Socialdemokrate (LSDM) si partia më e madhe opozitare maqedonase në korrik të këtij viti arritën marrëveshjen për bashkëpunim dhe përkrahje të ndërsjelltë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Mosmarrëveshjet midis këtyre dy partive kanë lindur dy javë më parë kur u paralajmërua ndarja e PDSH-së nga kjo marrëveshje, dhe së fundi ajo kulmoi me Strugën, ku LSDM në mënyrë indirekte paralajmëroi se nuk do të përkrahë kandidatin e PDSH-së për kryetar komune, Zijadin Sela.