E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët amerikanë: Irani sulmon një anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka hapur zjarr ndaj një anije mallrash që po përpiqej të kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën për Reuters në kushte anonimiteti.

Ky incident i ri vjen në mes të tensioneve të larta në rajon dhe paralajmërimeve të mëparshme nga Roja Revolucionare Iraniane (IRGC).

Sipas agjencisë britanike të sigurisë detare UKMTO, anija raportoi se u godit në anën e djathtë (starboard) nga një projektil i panjohur, rreth 7.5 milje detare (14 km) në juglindje të portit omanas të Dahit (në eksklavën Musandam).

Sulmi ndodhi rreth orës 14:10 UTC (16:10 me kohën lokale). Anija pësoi dëmtime në urën e komandës, por kapiteni raportoi se nuk ka viktima mes ekuipazhit.

Anija në fjalë identifikohet si Ever Lovely, e regjistruar në Singapor, ndërsa raportohet se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer me dron.

Irani nuk e ka komentuar ende këtë incident. Megjithatë, më herët sot, Roja Revolucionare Iraniane deklaroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit është i mundur vetëm nëpërmjet rrugëve të përcaktuara nga Teherani.

Sipas Teheranit, çdo anije që nuk respekton këto udhëzime do të përballet me veprime nga forcat iraniane.

Ky sulm ndodh në një periudhë të tensionuar të madhe në rajon, ku Ngushtica e Hormuzit – përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të konsumuar botërisht – është bërë pikë qendrore e konflikteve detare.

Irani ka paralajmëruar vazhdimisht se do të mbyllë ose do të kontrollojë rreptësisht kalimin nëse ndihet i kërcënuar, ndërsa operacione ndërkombëtare janë duke u përpjekur të sigurojnë lirinë e navigimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›