Çduhet dhe si duhet bërë që nafta shqiptare të rilindë?
Miku im, Ahmet Çollaku, më kërkoi personalisht mendimin tim se ç’duhet dhe si duhet bërë që nafta shqiptare të rilindë?
Meqë nafta është një çështje tejet jo personale, ajo është një problem kombëtar, po i përgjigjem publikisht, për të nisur një diskutim e debat, për të kontribuar në rilindjen e naftës shqiptare dhe jo vetëm të saj.
Për këtë duhet ti përgjigjesh fillimisht disa pyetjeve:
1. A ka naftë tjetër në Shqipëri që pret të zbulohet?
Përgjigja ime është PO, ka!
2. A do ta gjejnë VETËM kompanitë e huaja të pajisura me teknikë të fundit dhe me specialistë të diplomuar në universitete me zë?
Përgjigja ime: JO!
Këtë e kam thënë edhe në një takim ndërkombëtar në fillimet e viteve 90-të kur më pyetën, kur sapo kishte zënë të hapej Shqipëria.
Dhe u thashë: a e dini pse? Ju ngatërroni gjeologjinë dhe kërkimet gjeologjike me ndërtimin e një godinë a të një rruge. Gjeologjia është si gjuha e mëmës! Kemi në Shqipëri minoritarë: gjyshi ka lindur në Shqipëri, po kështu babai, edhe djali që kam shok klase, por ne menjëherë e gjejmë që janë grekë.
Alfabeti i tyre nuk është si ai i gjuhës shqipe dhe kordat e zërit nuk i shqiptojnë fjalët si shqiptarët.
Edhe gjeologjia kështu është. Do vite vrojtimesh në terren që të njohësh e zbërthesh gjeologjinë e një vendi.
Nga përvoja jonë me specialistë shumë të mirë rusë, kinezë, gjermanë, polakë e rumunë, na ka rezultuar se afër fundit të afatit kontraktual të tyre dyvjeçar kanë filluar të njohin mirë gjeologjinë e albanideve, të një brezi të rrudhosur alpin. Kështu që, po të vazhdojnë siç kanë filluar kompanitë e huaja që nuk shfrytëzojnë njohuritë dhe eksperiencën e gjallë të inxhinierëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, nuk do të gjejnë gjë!
Dhe koha e vërtetoi katërcipërisht këtë konsideratë. Kanë kaluar mbi 20 vjet punë të kompanive të huaja në Shqipëri dhe nuk kanë njoftuar se kanë gjetur ndonjë vendburim naftë, bakri apo kromi. Shfrytëzojnë vetëm ato rezerva të zbuluara nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
Edhe në këtë shfrytëzim, nuk ka asnjë njoftim publik si në botën mbarë sa mineral nxirret dhe sa përfiton realisht buxheti i shtetit, pra ekonomia shqiptare.
Ndonjëri mund të thotë: nuk janë shumë 20 vjet që punojnë, do të gjejnë dhe fundja paratë e tyre kanë investuar.
Jo more zotëri! Vërtet paratë e tyre kanë investuar, por koha është e shqiptarëve dhe nuk na kanë thënë sa kanë fituar në Shqipëri.
Në njëzet vite, për shembull nga viti 1960 deri 1980, gjeologët, gjeofizikët shqiptarë, teknikët dhe inxhinierët, minatorët dhe shpuesit e puseve i dhanë ekonomisë shqiptare dhjetëra vendburime nafte, bakri, kromi, hekur-nikeli, qymyri etj.
Ja ti numëroj kryesorët:
Vendburime nafte- Visokë, Ballsh, Gorisht- Kocul, Finiq, Cakan, Mollaj, Karbunarë-Hekal, Delvinë, Amonicë.
Vendburime gazi: Divjakë, Ballaj, Currila Durrës-det, Povelçë, Panaja.
Vendburime bakri: Gjegjan, Tuç, Lak Roshi, Palucë, Qafë Bari, Munellë, Perlat, Kaçinar, Derven, Golaj, Palaj-Karmë, Rehovë, etj.
Vendburime kromi: U zgjerua në krahë dhe thellësi Bulqizë – Batra, Thekna, Lugu i Gjatë-10 Korriku, Tërnova, Shkalla, Cërruja, Kalimashi, Kepeneku, Vlahna, Ragami, Pojska, etj.
Nga këta vendburime i kanë dhënë ekonomisë shqiptare para viteve 90-të 50 milion tonë naftë, rreth 12 miliardë metër kub gaz natyror, 21 milion tonë kromite, 20 milion tonë mineral bakri, 18 milion tonë mineral hekur-nikeli, 47 milion tonë qymyre, milionë tonë lëndë industrial, ujë, etj.
Vetëm mineralet e bakrit dhe të kromit i kanë dhënë ekonomisë shqiptare 2.28 miliardë USD.
Industria minerare dhe e naftës i kanë dhënë ekonomisë shqiptare 450 milion dollarë/vit.
Brigadat shqiptare të shpimit arritën të shpojnë me sukses puse 6700 metra të thellë për kërkimin e naftës dhe të gazit dhe deri 600 mijë metra linear/vit shpime për kërkimin zbulimin e vendburimeve të mineraleve të ngurta.
Këto zbulime madhore janë rezultat i punës këmbëngulëse, me përkushtim dhe vetëmohuese e naftëtarëve dhe minatorëve, midis tyre edhe i të dënuarve politikë që punuan në minierat e vendit, teknikëve, inxhinierëve dhe shkencëtarëve.
Janë rezultat i veprimtarisë së gjeologjisë shqiptare dhe teknikës e shkencës minerare dhe të naftës e gazit.
Por më kryesorja e arritjeve është formimi i komunitetit të mjeshtrave, teknikëve, inxhinierëve, shkencëtarëve të aftë për të realizuar kërkim-zbulimin e vendburimeve të tyre, për të projektuar e ndërtuar minierat dhe kantieret e naftës.
Prandaj gjeo-shkencat shqiptare kanë qenë një nga degët e shkencës dhe teknikës ndër më të përparuarat në vend, të mirënjohura, mirëpritura dhe të mirëvlerësuara edhe në vendet e përparuara të Evropës, SHBA, Kanada, etj.
Këta 22 vitet e tranzicionit, nën thirrjen e terapisë së shokut, rrafshuan edhe arritjet në fushën e naftës dhe të minierave.
Të ashtuquajturat reforma shkatërruan jo vetëm minierat dhe kantieret, por institucionet shkencore të një rëndësie kombëtare si Institutin e Gjeologjisë dhe të Naftës, Institutin Teknologjik të Naftës dhe të Gazit, Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve Gjeologjike dhe Institutin e Minierave, që ishin instrumente jetësorë në duart e shtetit shqiptar për të vlerësuar dhe zhvilluar nxjerrjen e pasurive minerale.
Sot, për fat të keq, edhe disa puse nafte po shpohen nga ekipe të huajsh dhe jo me shumë sukses.
I bëjmë sërish mund të thotë ndonjëri, një vendim duhet!
Jo zotëri, nuk është aq kollaj sa mendon. Mos harro se shkencën e zhvillojnë kërkesat e prodhimit dhe shkenca e shpie përpara zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit dhe të ekonomisë.
Dhe duke mos pasur për 22 vjet prodhim në fushën që po diskutojmë, është minimizuar edhe përvoja dhe dijet e fituara, janë pothuajse zhdukur kërkimet shkencore të mirëfillta të gjeo-shkencave të lidhura me prodhimin, me kërkim- zhvillimin e vendburimeve të mineraleve të dobishme.
Dhjetëra e dhjetëra nga specialistët më në zë kanë emigruar jashtë shtetit, në Evropë, SHBA, Kanada etj dhe shumica e tyre punon në profesionin e vet.
Shumë kanë dalë në pension, ose janë në prag të pensionit dhe nuk janë të aftë për punë intensive gjeologjike në terren.
Akoma më keq, këto 22 vite, të vetëquajturit politikanë i kanë abandonuar tërësisht specialistët dhe shkencëtarët dhe nuk i kanë pyetur ndonjëherë se çduhet dhe si duhet bërë një punë.
I kanë larguar dhe shkëputur nga jeta ekonomik
