E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, Skolari drejt largimit

Humbja katastrofike e Çelsit me Mançester Junajted praktikisht ka vulosur largimin e Luis Felipe Skolarit nga skuadra londineze. Trajneri brazilian, sipas konfirmimeve nga shumë burime pranë klubit, e ka kuptuar edhe vetë që i ka orët e numëruara në "Stemford Brixh" dhe se mund të pushohet nga puna në çdo moment. Në garën për zëvendësuesin e tij, alternativa e preferuar e Roman Abramoviç dhe drejtuesve të tjerë të Çelsit është holandezi Gus Hidink, ndërkohë që i pozicionuar mirë duket edhe ish-trajneri i Interit, Roberto Mançini. Humbja e së dielës në "Olld Traford", përveç rezultatit (të papranueshëm) 3-0, bëri që Mançester Junajted të renditet vetëm me një pikë diferencë nga Çelsi i vendit të dytë, e ndihmoi Liverpulin të largohej edhe më shumë nga blutë. Disfata erdhi në një moment mjaft delikat për Skolarin: Çelsi i tij ka regjistruar vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e fundit. Nuk mund të harrohet as zhgënjimi për vendin e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, aktivitet ku si kundërshtar anglezët do të kenë Juventusin. Të gjitha këto rezultate së bashku kanë bërë që Abramoviç të hedhë firmën për largimin e trajnerit dhe po studion tregun në tentativë që të gjejë zëvendësuesin më të mirë. Në tavolinën e punës së manjatit rus kanë përfunduar dy emrat e zakonshëm: Gus Hidink, i cili arrin rezultate mbresëlënëse kudo ku punon dhe italiani Roberto Mançini, që prej kohësh ka mbetur pa punë dhe "joshet" nga ideja për tu rikthyer në Premiership. Dyshimet pritet të zgjidhen në harkun e pak orëve.

Rreth ndeshjes së humbur me skuadrën e Sër Aleks Ferguson ka qarkulluar edhe një lajm i pazakontë dhe deri diku komik. Diego Armando Maradona dhe stafi i tij janë bërë shkaktarë për evakuimin e hotelit "Radison Eduardian" në Mançester, pasi po pinin cigare. Në të njëjtin hotel ishte akomoduar edhe skuadra e Çelsit, përpara supersfidës me Junajted. Për shkak të tymit të madh në dhomën e trajnerit të Argjentinës, i cili ndoqi nga afër ndeshjen në "Olld Traford" të gjithë klientët, mes të cilëve edhe skuadra e Çelsit janë detyruar të dalin nga hoteli dhe të presin në rrugë për afro gjysmë orë. Një pritje aspak e këndshme, pasi në momentin e episodit, gjatë orëve të para të mëngjesit, temperatura ishte nën zero gradë Celsius.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›