E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështë ky fiksim e kjo fandaksje pa fundme Berishën?

Vëzhguesi

Titulli i këtij shkrimi nuk është sajim i mëndjes time. Eshtë komenti i një lexuesi të Gazetës Respublika mbi shkrimin e Umberto Ecos Ligji dhe Puritanët, ku shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur italian analizon reagimet në median italiane ndaj mëkateve të kryeministrit italian jo si person privat por si person zyrtar i qeverisë italiane.

Komenti i saktë i lexuesit në fjalë është si vijon:

“Po mirë xhanëm, asnjë temë në këtë website nuk kalon pa u lidhur me Berishën? C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund?”

Ky koment ska fare  lidhje me çfar렠 thotë  U. Eco në artikullin e tij, por është një reagim mbi një koment të bërë nga dikush tjetër  mbi shkrimin, në të cilin komentuesi bën paralelizma në mënyrën e tij me situatën në Shqipëri ku përmend edhe Berishën.

Ky koment, që siç e shihni nga titulli, është i tëri një rresht e gjysëm, më intrigoi dhe vendosa ti përgjigjem këtij komentuesi si më poshtë.

I nderuari komentues:

A e di pse çdo gjë lidhet me Berishën?

Po ta lexosh  artikullin e Umberto Ecos  me vëmendje, gjen ngjashmëri të madhe se si këta dy kryeministra e drejtojnë shtetin:  Shfrytëzim të plotë të postit publik  nga ana e secilit kryeminister qoftë ky Berlusconi apo Berisha, për të shpërblyer ata që ju shërbejnë atyre për interesa thjesht vetiake (çfarëdo që këto interesa janë, plotësim i dëshirave manjake seksuale të njërit, apo pasurim personal,  të rrethit familjar apo nepotik të tjetrit) nëpërmjet ofiqeve zyrtare me rroga të majme nëpërmjet arkës së shtetit, që do të thotë që ata vjedhin drejtpërdrejt popullin për të përmbushur interesat e tyre personale.

Këta dy kryeministra  janë vënë në atë post për ti shërbyer zhvillimit të kombit dhe të rrisin standartin e jetës së popullit, të cilit i janë vënë në shërbim, në një nivel më të lartë.  Ata kanë bërë një betim para parlamentit të vëndit kur kanë marrë detyrën në fjalë, dhe  janë përgjegjës për çdo shkelje të ligjit nga kushdo, duke filluar nga vetvetja. Dhe ky është mesazhi që përçon Umberto Eco në  artikullin Puritanët dhe Ligji.

Ja se çfarë thotë saktësisht Eco në opinionin që jep në lidhje me Berlusconin në këtë artikull:

Megjithatë, kundërshtimi ndaj Kryeministrit nuk është kundërshti për shijet e tij seksuale. Është kundërshtim i faktit se zonjat që dëfreheshin në darkat e tij i shpërblente me vende pune në organizmat krahinore, rajonale, kombëtare dhe evropiane dhe këtë e bënte me harxhet tona. Në qoftë se rrogën e zonjës Minetti, si këshilltare rajonale, i bie ta paguaj unë (sipas njëfarë përqindjeje) dhe ata që rrojnë me njëmijë euro në muaj (edhe pse në përqindje më të pakët), kjo ska lidhje fare me Puritanët, kjo ka të bëjë me Ligjin.

A ka mundësi të mos vësh re se sa ngjashmëri ka me atë që ndodh tek ne në këto rreshta? Dhe është e natyrshme  që  gjuha të shkojë ku dhëmb dhëmbi kur realizon një paralelizëm kaq flagrant gjatë leximit të këtij fragmenti.

Dhe a mund të bësh me faj puritanët shqiptarë,  nqs më lejohet të përdor frazimin nga artikulli i   Ecos, që sa herë lexojnë për çfarëdo forme korrupsioni diku tjetër, gjuha u vete menjëherë tek ky dhëmb i prishur që vjen erë mbytëse deri jashtë kufinjve të Shqipërisë. Dhe, a kanë faj ata që Saliu ju del në mënyrë të pavetëdijshme si imazh në një flluskë sipër kokës tamam si ato flluskat e librave komike çdo herë që ndeshen me të tilla fakte?

Si mund të bëhen me faj shqiptarët e shkretë kur Berisha mban nën sqetull të gjithë korrupsionet e mundshme që ndodhin në këtë planet e ju del në ëndërr çdo natë dhe mendojnë për Berishën gjatë ditës më shumë se mendojnë edhe për seks apo gjëra të tjera?

Psilokologjikisht, Berisha ju është futur në tru shqiptarëve si një virus ngjitës që i ka paralizuar funksionet normale  shqiptarëve, si të atyre që janë në anën ë tij , ashtu edhe të atyre që janë alergjikë ndaj tij.

Dashur pa dashur, shqiptarëve,  kur lexojnë një artikull që flet për korrupsion, ju shkon mëndja menjëherë tek një nga bëmat e shumta të Berishës dhe langojve të tij dhe një rrjedhje e natyrshme fjalësh ju del nga goja dhe nuk pushon së derdhuri si të ishte  llavë vullkani e  ngujuar në thellësi të shpirtit që mezi çpriste të dilte e të vërshonte për ta liruar atë shpirt të shkretë nga makthi i krijuar nga gjithë këto bëma, qoftë  pro apo kundër tij.

Pasionet që krijon Berisha ndër ne shqiptarët besoj që vetëm Frojdi do ishte në gjendje ti analizonte e  të na jepte një shpjegim të mirëfilltë psikoanalitik.

Për ta mbyllur këtë përgjigje, duke ja lënë psikiatërve të analizojnë më thellë fenomenin Berisha, më mbetet të them:

Nuk arrij ta konceptoj dot se si gjithë këto bëma të Sali Berishës ju anashkalojnë pjesës të shqiptarëve që indinjohen kur dikush ju prek Salushin e tyre të dashur. Kjo të krijon përshtypjen sikur këta njerëz ose kanë  lindur shurdhë-memecë ose u kthyen në  të tillë pasi Saliu ju hodhi nga një mbeturinë kocke të lëpirë më parë nga të tjerë apo si virus ju fut në tru dhe ju preku ato pjesë të trurit të lidhura me shikimin dhe dëgjimin?

Smësuan këta të shkretë nga 50 vjet diktaturë që nuk duhen krijuar më idhuj se idhujt të zhgënjejnë keq, e  pas atij zhgënjimi bie me hundë në tokë, ndjen një dhëmbje therrëse dhe e  pyet veten, po  ku isha unë kur ndodhnin gjithë këto bëma?

Në ato pesëdhjetë  mungonte informacioni për magnitutën e atyre që ndodhnin në Shqipëri nga censura tepër e fortë, apo më mirë të themi që ai informacion mungonte krejtësisht. Po sot që janë të gjitha të shpalosura nën dritë të diellit dhe mund ti lexosh në bardhë e zi si në letër ashtu edhe ne web pa patur nevojë për dylbi ( ne web s’ka më lojra, mbeten faktet atje e nuk zhduken më) përse po ndodh  e  njëjta verbëri?

Me të vërtetë, është shumë intrigues fakti, që me gjithë këto  që po ndodhin në Shqipëri, këta njerëz vazhdojnë ende të habiten se përse gjithçka lidhet me Berishën duke bërë pyetjen e mësipërme: C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund …me Berishën?

Dhe unë po ja kthej duke e  rifrazuar pyetjen e  tyre në:

C’është ky fiksim e kjo fandaksje pa fund….nga ana juaj me një njeri që po na shkatërron KOMBIN ?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›