Politika 2012, presidenti dhe statusi sfidat kryesore

Viti 2012 i ofron klasës politike shqiptare një anxhendë të ngjeshur me sfida. Guri i provës për mazhorancën dhe opozitën është miratimi i reformave që do ti jepnin Shqipërisë një shans për të marrë në pranverë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në dhjetor PD e PS nënshkruan një rezolutë duke u zotuar për bashkëpunim në integrimin e vendit. Hapat që duhet të ndërmarrin dy forcat kryesore politike janë miratimi i reformës zgjedhore, së paku deri në muajin mars, ligji për gjykatën administrative deri më tani i mbetur peng nga kundërshtitë e dy palëve si edhe ndryshimet në kodin penal. Dhe nëse do kishin reference paktin për Shqipërinë si gjithë Europa të ofruar nga socialistët deri në maj komisioni i ngritur për reformën parlamentare duhet të ketë përfunduar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit në përputhje me atë të Parlamenti Europian.
Deri në muajin korrik, kur përfundon edhe mandati i presidentit për Bamir Topin, klasa politike shqiptare pritet të përfshihet nga debati dhe ndyshime për emrat e mundshëm të kreut të ri të shtetit.
Fundi I vitit që lamë pas u dominua nga pikëpytjeja e madhe se kush do ulet në karriken e Bamir Topit, e tashmë me afrimin e zgjedhjes së presidentit, pikëpyetje do të shtohen edhe më shumë.
Do të jetë një presidenti konsensual, siç është kërkuar nga Partia Socialiste, një president i zgjedhur nga mozhoranca, apo mund të ekzistojë mundësia e zgjedhjes së presidentit nga populli, e cila do të ishte e vetmja alternativë që do të sillte një rikandidim të Bamir Topit. Nëse do i qëndronim besnik ambicies të shprehur nga vetë Fatos Nano, do të mund të thoshim se deri tani ai është i vetmi kandidat i sigurt për postin e presidentit, i cili në bazë të kushtetutes në raundin e 4-rt të votimit në parlament zgjidhet me 71 vota.
Por 2012 shënon një vit jubilar për shtetin shqiptar, 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Deri më tani qeveria ka ngritur një komision shtetëror për të përcaktuar axhendën e festimeve, por nga ana tjetër gjasat që të mbajë premtimin që në 100-vjetorin e Pavarësisë të ndërtojë një parlament dhe stadium të ri janë pothuajse zero.
Megjithatë angazhimi i klasës politike shqiptare në pëmbushjen e sfidave të 2012-së pritet të duket që nga 16 janari, kur pritet të nisë sesioni i ri parlamentar.

