E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E ç’ë pastaj?”

Ja, u prenë drurët, u shkatërrua parku publik i liqenit në Tiranë, po se mos është ky i pari rast apo i fundit? A nuk janë shkretuar pyjet anekënd Shqipërisë, ca për t’i bërë qymyr, ca për t’i eksportuar për dru zjarri jashtë vendit, ca për t’i privatizuar si livadhe? A nuk ka shkuar “për lesh” një mal i tërë, jo në humbëtirat e vendit, po bash mbi Tiranë, i ashtuquajturi mal i Dajtit, ku edhe aty populli punonjës gëzon me ligj, si pronë publike, një park kombëtar?...U vra Marija 17-vjeçare në Veri, e pafajshme, ende pa e nisur jetën, jo dhe aq për shkak të kanunit se sa të heshtjes kriminale të shtetit dhe pushtetit, të kishës dhe xhamisë, po se mos është viktima e parë apo e fundit? Sa familje janë të ngujuara në Shqipëri? A nuk e kishim një të tillë buzë rrugës kryesore, përballë bllokut Vasil Shanto, në mes të Tiranës dhe ne ecnim buzë asaj ndërtese - arkivol, e tregonim me gisht për t’i thënë shoshokut me një qetësi vrastare: Ja, e shikoni? Këtu ka një familje të ngujuar… e pastaj shkonim në punën tonë? U ekzekutuan katër vetë përballë ndërtesës së qeverisë, dhe tashmë askush nuk e vë në dyshim (sigurisht përveç gjykatës) që qytetarët u vranë me urdhër nga lart, po se mos janë të parët apo të fundit të vrarë nga qeveria? A nuk u vranë në Shkodër katër qytetarë më 2 Prill, a nuk u vranë në Gërdec njëzet e gjashtë të pafajshëm? E ç’ë pastaj? A mos ndodhi ndonjë hata? A mos mbajti kush përgjegjësi, dha dorëheqje, u dënua e u ndëshkua, sipas ligjit? Po jepet (gati po falet) për qëllime klienteliste Llotaria Kombëtare nga Ministria e Financave, po a nuk u dha kështu edhe nafta, edhe territori i detit në Jug, edhe shpërndarja e energjisë, Telekomi, etj, etj?...A nuk po shkojnë për skrap të gjitha pasuritë kombëtare, jo vetëm të ushtrisë, po edhe TEC-et, fabrikat e kombinatet, të ndërtuara në monizëm? A nuk u shpërdoruan te rruga e Kombit gati 300 milionë euro; a nuk u prish mbikalimi te Zogu i Zi dhe a nuk u bënë “inerte” disa milionë euro aty para disa vitesh? A nuk po na thuhet pikërisht nga ata që e shkatërruan politikisht Zogun e Zi se duhet ndërtuar një tjetër mbikalim, pak më tutje, te sheshrrotullimi i doganës, “për shkak të vështirësisë së qarkullimit”?...E ç’ë pastaj?
Pyetje të tilla të mbetura pa përgjigje mund të shtrohen pa fund. Në fakt, e thashë gabim, pasi akuzat, dyshimet, dhe faktet e marrin përherë një përgjigje sa të heshtur, aq edhe kuptimplotë, nga secili ndër ne, i majtë apo i djathtë, i varur e i pavarur, i këtushëm apo i jashtëkufijshëm:
“E ç’ë pastaj?” Kujt i ka hyrë ndonjë gjemb në këmbë?
***
“Vepro tani!” promovoi para ca ditësh ambasadori amerikan, z.Arvizu. “Bëj të dëgjohet zëri yt, qytetar!”, është shkruar me gërma të mëdha në muret e larta të ambasadës amerikane. Po si? Si mund të bëhet e mundur që zëri i qytetarit të vejë në vesh jo të Perëndisë, po të qeverisë, më saktë, të kryeministrit?
Me sa po shihet e po thuhet edhe kjo nismë “Vepro tani!” ka për qëllim ringjalljen e opinionit publik të ngrirë e të paralizuar, e thënë më ndryshe: Ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të ashtuquajturës shoqëri civile se përgjigja retorike, paralizonjëse e gjithëpërfshirëse ”E ç’ë pastaj?”, është dëmsjellëse për demokracinë dhe për vetë qytetarët, pasi ata, d.m.th ne, duhet të fillojmë të reagojmë në kohën dhe në vendin e duhur. Pra, po të veprojmë bashkarisht jo nesër as pasnesër, por “tani!”, vetëm kësisoj shumëçka mund të ndreqet e të futet në rrugë të mbarë. Kjo nënkupton se, meqë edhe tek ne “qytetarët janë të parët”, si në çdo shoqëri normale demokratike, të gjitha paudhësitë e mbrapshtitë që bën qeveria dhe qeverisja, në mos do të shmangen, kanë për t’u minimizuar.
Me siguri ambasadorit Arvizu nuk i pat shkuar në mend se përgjigjen negative që pohon trishtueshëm apatinë dhe pafuqinë e reagimit tonë qytetar, duke futur këtu edhe nismën e tij “Vepro tani!”, do ta merrte jo nga qytetarët, as nga mefshtësia e opinionit tonë publik (që nuk po di të organizohet për të mbrojtur të drejtat e veta, si në vendet perëndimore), po nga kreu i KQZ-së, zoti Ristani, i cili doli e tha publikisht, pa iu dredhur as qerpiku i syrit të tij të djathtë, se edhe firmat që janë hedhur në kërkesën për referendum kundër plehrave qenkan falsifikuar nga qytetarët e nga shoqëria civile!
E pra, KQZ është institucion i pavarur, aq më tepër kryetari i saj, të cilët ose mund të ta japin, ose mund të ta heqin pushtetin! Dhe këtë të vërtetë ambasadori e di. Por a mund dhe si mund të kundërshtohen këta jo më nga ne, qytetarët e thjeshtë, të përfshirë ose jo në nismën e re “Vepro tani!”, po edhe nga ambasadori vetë, ashtu si mund të kundërshtohen me protesta e peticione, me artikuj gazetash e debate televizive edhe Gjykatat, sidomos ajo e Lartë, që nxjerr herë pas here të pafajshëm vrasësit, kriminelët dhe hajdutët e niveleve të larta? A thua nuk i di këto ambasadori Arvizu?
E pra, zoti ambasador, meqë ju nuk jeni qytetar i zakontë dhe anonim i këtij vendi, po një nëpunës i lartë i fuqisë më të madhe botërore, dil e “vepro tani”! Se ja, dolën qytetarët në protestë, më 21 janar, por qeveria nuk ngurroi të vrasë ditën për diell, para kamerave, katër protestues dhe kryeministri sakaq u quajt “burrë shteti”. Ju ndoshta nuk e dini, po që atë ditë, sa për dijeni, nuk u vranë dhe nuk u varrosën vetëm katër njerëz të pafajshëm, po u vra protesta, e drejta për t’u organizuar, për të kundërshtuar të keqen bashkarisht, për të vepruar jo nesër, por tani! Si mund të funksionojë pas kësaj nisma qytetare “Vepro tani”?, ose “Bëj të dëgjohet zëri yt, o qytetar!”?
***
Tek ne është e garantuar liria e fjalës. Mund të shash e të akuzosh jo vetëm nëpër kafene, po edhe nëpër televizione e gazeta, kryeministrin, Presidentin, ministrat, kë të të dojë shpirti dhe asgjë nuk të gjen. Askush syresh nuk turpërohet, askush nuk shfajësohet, le më të mbajë përgjegjësi për akuzat e bëra publike. Të gjithë janë të bërë pis: Ti ke vjedhur, ti gënjen, po edhe ti që më akuzon nuk je i pastër! Kësisoj të gjithë jemi bashkëfajtorë, të ndyrë, të korruptuar, të pistë, hajdutë, gënjeshtarë; edhe ai që nuk ka bukë të hajë, edhe ai që nuk i llogarit dot pronat dhe milionat. Edhe nëse dikush e ka mbajtur emrin të pastër, duke pranuar sakrificat e të qënit i ndershëm, ( deri në kufirin e budallait, si quhet rëndom një i tillë!), po doli në publik dhe po e teproi me qëndrimin kundër, domosdo do t’i përmendet origjina, nga vjen, i kujt është, pse ka lindur dhe pse ka pranuar të punojë e të jetojë në diktaturë etj etj.
Dëmi më i pashlyeshëm që i është bërë kësaj shoqërie nuk është vetëm shkatërrimi me themel i pasurive kombëtare: Pyjet, detet, lumenjtë, tokat bujqësore bashkë me besimin te djersa, duke mos harruar edhe rrënimin e trashëgimive kulturore dhe historinë, por degradimi i përditshëm i besimit te demokracia e te morali i saj. Se besimin te demokracia nuk e dëmton vetëm fukar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›