E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kemi pranuar më shumë se sa ka kërkuar BE dhe Prishtina”

Ish-ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq ka thënë se deklaratat e javëve të fundit, të kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq për Kosovën dhe Bashkimin Evropian, janë të rrezikshme.

“Personalisht mendojë që deklarata të këtilla janë të rrezikshme. Në këto momente të gjitha përpjekjet i orientojmë që të marrim datën për bisedime, në anën tjetër keni deklaratat e kryeministrit, zyrtarit të lartë të qeverisë që data për bisedime nuk është aq e rëndësishme dhe që nuk jemi të gatshëm të bëjmë ndonjë lëshim”, ka thënë Bogdanoviq gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë, transmeton Express.

Sipas tij, në fakt Serbia ka bërë të gjitha lëshimet kur është fjala për Kosovën.

“Të mos na gënjejë askush. Të gjitha ato që Bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina i kanë kërkuar e posaçërisht ajo të planit të Ahtisarit, fatkeqësisht janë pranuar madje edhe më shumë se aq”, ka thënë Bogdanoviq duke ripërsëritur se Daçiq gjatë muajve të fundit ka dhënë deklarata mjaftë kundërthënëse, siç janë të tilla edhe ato të shefit aktual të zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vukin dhe zëvendësit të tij, Kërtimir Pantiq. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›