“Lisistrata”, shkëlqen në EXPONTO

Teatri Kombëtar i Kosovës, është përfaqësuar me mjaft sukses në festivalin “Exponto”, në Ljubjanë të Sllovenisë. Shfaqja “Lisistrata”, me regji të Elmaze Nurës, që ka bërë edhe adaptimin e tekstit, është mirëpritur tej mase nga kritika dhe publiku. Loja e aktorëve ka qenë e shkëlqyer, duke i dhuruar kështu festivalit një spektakël teatror, të martën me 3 shtator. Prof dr. Svetlana Slapsak kritikja më e njohur e teatrit në Slloveni u shpreh me tone superlative. “Unë e kam parë Lisistratën të inskenuar në qindra variante, por kjo që pash sonte është varianti më i mirë që e kam parë ndonjëherë. Është adaptim modern dhe lojë fantastike e aktorëve", deklaroi ajo.
“Do doja që kjo shfaqje të kishte turne nëpër Europë që edhe regjisorët tjerë të shohin se çfarë mund të bëjnë nga ky tekst. Aristofani e ka shkruar komedinë, por në inskenim shumicës së regjisorëve ju del përfundimi tragjik.. Juve e ndëruar regjisore keni arritur që vërtetë të sjellni një komedi të hatashme në skenë", tha kritikja e njohur sllovene.
E impresionuar ka mbetur edhe Ambasadorja e Kosovës në Slloveni, Mimoza Ahmeti. “Që nga koha që jam ambasadore, dje ishte dita që u ndjeva më së miri në misionin tim. Në sallë ishin vetëm pesë shqiptarë dhe pjesa tjetër e sallës ishte e mbushur me sllovenë dhe të tjerë. Mënyra se si reaguan ata në shfaqje më bënë krenare me juve.”, u shpreh ambasadorja në takimin me ekipin e shfaqjes.
Joana Popovska, një ndër aktoret më të njohura të ish-Jugosllavisë, që jeton në Maqedoni tha se, para shfaqjes kishte dhimbje të këmbëve dhe kokës, por në fund dhimbjet i kishte harruar tërësisht. “Më relaksoi kjo shfaqje e mrekullueshme.”, ishte komenti i saj.
“Lisistrata”, thërret për paqe; është një protestë e grave kundër luftës, konflikteve, telasheve dhe konfuzionit që e shkaktojnë burrat. Në tekstin antik, protagonistja Lisistrata i vë vetes një detyrë të vështirë –t’i japë fund luftës së Peloponezit.
Heroina e parë komike në historinë e teatrit, u kërkon grave nga qytetet e ndryshme greke, të refuzojnë seksin me burrat apo të dashurit e tyre që janë në luftë, derisa ata të detyrohen të bëjnë paqe. Kjo strategji shkakton një betejë të ashpër mes grave e burrave. Në adaptimin modern nga regjizorja Nura, greva e seksit, nis për t’i kushtëzuar burrat të heqin dorë nga fushatat elektorale, sepse i kanë lënë pas dore bashkëshortet e të dashurat e tyre. Shfaqja karakterizohet nga fryma e spektaklit, me lojë intensive, emocion, humor, skena interesante, që e mbajnë publikun të mbërthyer pas cdo lëvizje që ndodh në skenë.
EXPONTO shënoi sivjet 20 vjetorin e themelimit të tij. Ideja fillestare e këtij festivali, kishte më tepër karakter humano-kulturor që lidhej me fatin e vendeve të dala nga luftërat në ish-Jugosllavi, të artistëve nga këto shtete, që mund të shprehnin kreativitetin e tyre. Por, më vonë, EKSPONTO mori formën e një festivali të rëndësishëm ndërkombëtar, ku ftohen cdo vit teatro prestigjozë me produksionet e tyre më të mira. Motoja e sivjetme e festivalit është “Ky është limiti”. Festivali po përgatitet për një fazë të re, për të tërhequr më shumë pjesëmarrës dhe për të tejkaluar kufinjtë. Kjo ngjarje është e mbështetur nga Komisioni Evropian, përmes programeve kulturore.
Regjizorja Elmaze Nura është drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe profesoreshë e regjisë së teatrit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka qëndruar për 6 muaj si profesor vizitor në vitin 2009, Departmentin e Teatrit dhe Filmit në Universitetin e Kansasit. Nura ka realizuar 13 shfaqje në Kosovë, Maqedoni, SHBA, dhe është prezantuar me sukses me produksionet e saj në disa festivale të mëdha ndërkombëtare.
Në shfaqje luajnë: Mentor Zymberaj, Aurita Agushi, Hazir Haziri, Florentina Ademi, Veton Osmani, Albulena Kryeziu, Ramadan Malaj, Teuta Sadiku, Bledar Racaj, Dafina Berisha. Asisten regjizor është Diar Xani, skenografia nga Zeni Ballazhi, muzika Korab Shaqiri,ndricimi Asllan Hyseni, kostumet Njomza Luci./Indeksonline/