E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pallati i Lindës”, PD: Rama nuk shpjegon, i zhytur në korrupsion

TIRANE - Partia Demokratike ka vijuar sërish akuzat drejtuar kreut të Partisë Socialiste në lidhje me pallatin e bashkëshortes së tij Linda Bashës, por edhe me Kosta Bajrabën. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi deklaroi se kryetari i PS Edi Rama mashtroi shqiptarët kur një javë më parë deklaroi se do të pezullojë Kosta Barjabën nga funksionet e tij nga Partia Socialiste dhe theksoi se dje Rama heshti për pallatin e bashkëshortes së tij Lindita Basha.

“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mashtroi Shqiptarët kur një javë më parë deklaroi se do të pezullojë Kosta Barjabën nga funksionet e tij nga Partia Socialiste. Në të vërtetë, po i rikujtojmë Kryetarit Edi Rama, xhestin e Kosta Barjabës, vjedhjes dhe arrestimin e tij në Nordstrom të Palo Altos, të cilin e quajti thjesht një xhest të papranueshëm si cënim të pronës private, në shumën prej 238 dollarë. Ndërkohë z. Rama heshti dje për pallatin e bashkëshortes së tij të ndërtuar në lulishten në sheshin midis pallateve me firmën dhe vulën e tij nga znj. Lindita Basha, investim ky prej rreth 2 milionë eurosh nga dy familjarë, njëri pensionist dhe tjetri i vetëpunësuar”, deklaroi Vorpsi.

Më tej Vorpsi deklaroi se Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për personin që ka marrë apo ka dhënë 100 milionë lekë bashkëshortes së tij, pasi ai nuk del dot nga kthetrat e korrupsionit ku është zhytur.

“Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për personin që ka marrë apo ka dhënë 100 milionë lekë, të deklaruara nga znj. Basha në ILDKP, për të cilat nuk thuhet asnjë fjalë, burimi tyre, tatimi i tyre apo lëvizja në llogari bankare. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, hesht dhe nuk flet, pasi ai nuk del dot nga kthetrat e korrupsionit ku është zhytur. Ai nuk mund të shkëputet nga Barjaba, jo vetëm se e shoqja ka ndarë shuma marramendëse me të, por sepse Kosta Barjaba mund të denoncojë para drejtësisë amerikane Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për pallatin në pajë të Lindita Bashës, firmat e tij të paligjshme dhe burimet e financimit të këtij pallati që me shumë gjasë janë larje parash nga Rama. Rama nuk pezullon dot Kosta Barjabën sepse ai di shumë për kredinë pa interes prej 100 milionë lekë të Lindita Bashës dhe origjinën e tyre, prandaj edhe ai njofton të gjithë audiencën socialiste që do të regjistrojë në akademinë politike socialiste deri më datë 20 Janar, se do të kenë për lector krahas Servet Pëllumbit, Luan Omarit, Alfred Moisiut, Taulant Ballës dhe xhepistin e tij Kosta Barjaba”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›