"Eurosong, Shqipëria humbi nga penaltia"

"Ndihemi siç mund të ndihet ekipi kombëtar i futbollit kur shkon në një ndeshje me rëndësi jashtë vendit dhe luan 90 minuta shumë mirë, por në fund i japin një penallti që e bën të humbë, edhe pse gjatë gjithë pjesës ka luajtur bukur dhe ka qenë më lart se ekipi kundërshtar".
Kështueshte shprehur për mediat shqiptare kompozitori Shpëtim Saraçi, nga Suedia, në një prononcim në emër të grupit shqiptar atje.
Jo pak i prerë dhe i zhgënjyer nga skualifikimi i këngës shqipe "Identitet", që u interpretua nga Bledar Sejko e Adrian Lulgjuraj në gjysmëfinalen e Festivalit Europian të Këngës, Saraçi, gjithsesi duket krenar për atë që dhanë djemtë në skenën e Malmo Arenës.
"Interpretimi dhe përfaqësimi ynë ka qenë dinjitoz, dhe kjo, jo se e them unë, por sepse ky ishte feedback-u që morëm nga organizatorët e Eurosong dhe artistët e huaj që gjenden këtu. Jemi të kënaqur që dolëm mirë dhe jemi të zhgënjyer nga penalltia që na u dha në minutën e fundit", - theksoi kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi per GSH. Më tej, ai analizoi pak edhe finalistët e sivjetshëm, ku duket se pak vend ka mbetur për Ballkanin.
"Ajo që mund të shtoj tani është se të bën përshtypje mosprania e Ballkanit në finalen e sivjetshme të Festivalit të Këngës në Eurovizion. Kjo mund të jetë edhe e rastësishme, por mundet edhe të mos jetë. I vetmi vend nga Ballkani është Greqia dhe më duket shumë pak për të përfaqësuar numrin e madh të shteteve që ka gadishulli ynë", përfundoi prononcimin e tij.
Jashtë finales së këtij viti janë edhe Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e të tjera vende nga Ballkani. /Indeksonline/