1 Maji, protestë në kryeqytet për të drejtat e punonjësve

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Qendra për të drejtat në punë kanë organizuar sot në kryeqytet një protestë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Në këtë protestë, të pranishëm ishin punëtorë nga sektorë të ndryshëm në vend, sindikalistë dhe aktivistë, të cilët kërkuan kushte më të mira, paga më të larta dhe trajtim me dinjitet për ta.
“Kriza më e madhe sot është mungesa e punëtorëve sepse ikin. Por, nëse duam t’i mbajmë në Shqipëri duhet t’i paguajmë mirë e t’i trajtojmë me dinjitet”, u shpreh Gertjana Hasalla, nga Qendra për të Drejtat në Punë.
Gjatë protestës, foli edhe Gent Stroni nga Sindikata e punonjësve të shëndetësisë, i cili kërkoi më shumë dinjitet në punë për kolegët e tij dhe punonjësit shqiptarë në sektorë të tjerë.
“U bëj thirrje të gjithë punëtorëve, të vrasin frikën për të protestuar për të drejtat e tyre dhe të organizohen në sindikata. Të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Ilia Kondi nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve i ka fillesat prej ngjarjeve të majit të 1886-ës, kur 400 mijë punëtorë të SHBA-së dolën në grevë, duke kërkuar një ditë pune 8-orëshe. Greva filloi në mënyrë paqësore, por në ditën e tretë të protestave në Çikago pati dhunë. Policia qëlloi mbi punëtorët e paarmatosur, duke vrarë disa prej tyre. Të nesërmen pati protesta të tjera dhe dikush hodhi një bombë. Shtatë oficerë policie dhe katër punëtorë u vranë nga bomba ose të shtënat e policisë menjëherë pas bombës. Personi që hodhi bombën nuk u identifikua kurrë, por tetë punëtorë u arrestuan. Shtatë prej tyre u dënuan me vdekje dhe një prej tyre u dënua me 15 vjet burg. /j.p/
Nga protesta e USSH dhe QDP në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve 1 nga 4