124 mjekë të rinj specializantë nënshkruajnë kontratën me MSHMS, Koçiu: Do jeni dëshmitarë të transformimeve në QSUNT

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ 124 mjekë të cilët fillojnë këtë vit specializimin 4-vjeçar në mjekësi, kanë nënshkruar sot kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ofruar shërbime shëndetësore në specialitete të ndryshme aty ku ka nevojë vendi pas përfundimit të studimeve.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se “këtë vit nisin specializimin afatgjatë në mjekësi 253 mjekë nga të cilët 124 do nënshkruajnë një kontratë me MSHMS”.
Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe mjekësi urgjence”.
“Nisni sot rrugëtimin në një nga shërbimet kryesore të ofrimit të shërbimit shëndetësor që është QSUNT për dy nga specializimet që për ne si MSH në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë ia kemi dalë me sukses që të kemi edhe nga vjet, edhe nga sivjet prurje në këto degë që janë specialisti i mjekësisë së urgjencës dhe specialisti i mjekësisë familjare”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu pohoi gjatë fjalës së saj se për shkak të incentivave edhe të karakterit financiar, këta mjekë do të marrin pagë të plotë gjatë rrugëtimit të tyre afatgjatë si specializantë, gjë që krijon bazën e premisës për të pasur në të ardhmen dy linja specialitetesh shumë të kërkuara, të domosdoshme dhe jetike në të gjitha strukturat shëndetësore dhe ato spitalore.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe tek transformimi i infrastrukturës shëndetësore dhe investimet në pajisje të teknologjisë së fundit duke përmirësuar dhe rritur shërbimet për qytetarët, por edhe krijimin e kushteve për stafet shëndetësore.
“Të gjithë ju do të jeni edhe dëshmitarë të transformimeve që QSUNT po merr dhe jetëson dita-ditës. Janë një sërë infrastrukturash spitalore të kësaj qendre që janë duke u rinovuar, si spitali i Kardiokirurgjisë që mbaron shumë shpejt dhe është një nga strukturat më bashkëkohore me ambiente dhe salla operatore të fjalës së fundit. Është spitali i djegie plastikës, i Psikiatrisë që do përfundojë së shpejti, është Pediatria Infektive që mbyll korpusin e spitalit pediatrik”, tha ajo.
Koçiu u shpreh se po krijohen të gjitha kushtet për mjekët shqiptarë që ta gjejnë Evropën këtu në Shqipëri.
“Ne po punojnë bashkërisht çdo ditë që nga MSHMS, Universiteti i Mjekësisë, strukturat tona shëndetësore. Të gjithë këtë punë do ta bëjmë bashkërisht. Duhet të jemi bashkë, një skuadër. Fakti që nënshkruajmë një kontratë së bashku, bën që ne të jemi mentoruesit dhe lobuesit tuaj më të mëdhenj”, theksoi Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i uroi mjekët specializantë që rrugëtimin e tyre trevjeçar ta pasurojnë me eksperienca pozitive që do i rrisin profesionalisht, përtej materialeve që ata kanë mësuar në shkollë.
Mjekët e rinj kanë përzgjedhur të specializohen në fusha të ndryshme të mjekësisë, si pediatri, imazheri, anestezi-reanimacion, kardiologji, mjekë internistë, kirurgji e përgjithshme, pneumologji, sëmundje infektive, obstetri-gjinekologji, diagnoza me imazhe dhe mjekësi familje.
/e.i/j.p/
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë ceremonisë së zhvilluar në Q... 1 nga 6/e.i/j.p/