14 zyrtarë të lartë nën hetim nga SPAK. Prokuroria jep të dhëna edhe për të dënuarit në “41 BIS”

SPAK është duke hetuar 14 zyrtarë e ish-zyrtarë të latë të shtetit. Mes tyre, prokuroria e Posaçme bën me dije se tre janë deputetë, një është ish-deputet dhe një ish-ministër.
Këto të dhëna janë bërë publike në “regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve” për muajin korrik të publikuar së fundmi. Interesit të qytetarit, se cili është numri i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që aktualisht janë duke u hetuar, SPAK i përgjigjet:
”Në total janë 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë 3 deputetë, 1 ish-deputet dhe 1 ish-ministër”.
Në vazhdim të kësaj, është dhe një tjetër pyetje që i drejtohet SPAK-ut: “Pak muaj më parë keni konfirmuar zyrtarisht se keni një ministër nën hetim? Cili është ministri dhe a po vlerësohet nga SPAK caktimi i masë sigurimi ndaj tij/saj?” Dhe në përgjigje SPAK nuk ka zbuluar emra, vetëm duke theksuar se një ish-ministër është nën hetim.
Pyetje të tjera që i janë drejtuar SPAK-ut lidhen dhe me krimet zgjedhore. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar se gjatë periudhës raportuese janë administruar 193 materiale kallëzuese që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore. 43 prej tyre janë regjistruar si procedime penale, pra kanë kaluar në fazën e hetimit.
SPAK pretendon se që nga viti 2020 e deri më tani ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 251 persona kryesisht për veprat penale në fushën e narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe vrasjes me paramendim, vepra penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Përsa u përket personave që mbahen në 41 BIS, SPAK bën me dije se 6 persona të dënuar janë dërguar në këtë regjim.
Gazetare: Jonela Sagajeva
/rtsh.al/