15 vjeçari nga Durrësi u plagos me thikë nga bashkëmoshtari, fleti i ati: Djali, në gjendje kritike për jetën

Adem Babo, i ati i 15 vjeçarit që u plagos nga bashkëmoshtarët e tij në Durrës ka rrëfyer për emisionin “Në Kohë Reale” se si është gjendja e djalit të tij.
Babo tha se gjendja e djalit të tij është mjaft kritike pasi sipas komunikimit që ka pasur me mjekët 15-vjeçari ka marrë infeksion edhe në mushkëri si pasojë e goditjeve me thikë.
“Gjendja e djalit është mjaft kritike. Ai po lufton me infeksionin e mushkërisë po ashtu edhe ato të trurit. Është akoma në intubim. Gjendja e tij është mjaft e rëndë. Nuk e di se çfarë apeli të bëj! Ka 10 ditë që po lufton për jetën, 4 ditë ka ndenjur në spitalin e Durrësit, pastaj për shkak të komplikacioneve e kanë transferuar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë”, u shpreh Adem Babo.
Ai vuri në dukje se djali i tij ka marrë disa goditje me thikë.
“Djali ka pasur disa goditje në organet jetësore. Ka pasur goditje në stomak, ka pasur 2 goditje të vogla në zemër që kanë përshkuar zemrën. Ka pasur një goditje të thellë në këmbë. Por goditja më fatale që po na mundon më shumë sot sipas mjekëve është ajo e mushkërisë që ka marrë infeksion dhe që po e komplikon shumë gjendjen e tij. Mjekët po përpiqen maksimalisht ta trajtojnë mirëpo gjendja e tij është mjaft e rëndë”, theksoi Adem Babo.
Babo shpjegoi se ai ishte lajmëruar nga një prej shokëve të 15-vjeçarit, se djali i tij ishte goditur me thikë.
“Unë atë ditë isha në punë. Punoj në ndërtim. Njëri nga bashkëmoshatarët e djalit më njoftoi se Ejoni ka përfunduar në spital. Shkova në spital dhe mësova se gjendja e djalit ishte shumë e rëndë. Mjekët bënë maksimumin e mundshëm me operacionet, arrijnë ta rikthejnë në jetë. Operacioni ka zgjatur 3 orë e gjysmë, dhe nuk ka qenë operacion në zemër, ka pasur dëmtime në stomak, në mushkëri, ka pasur edhe zemrën.
Konflikti ka ndodhur jashtë ambienteve të shkollës, djali ka qenë me rroba pune, pasi punon pasdite në një lavazh”, deklaroi më tej Babo.
Ai theksoi se prindërit e autorit të ngjarjes kanë “tentuar ata të afrohen me mua, unë nuk kam qenë në gjendje të komunikoj lidhur me ngjarjen. Për mua e rëndësishme është shëndeti i djalit, nuk më interesojnë gjërat e tjerë. Këtë mesazh ua kam përcjellë edhe atyre”.
/rtsh.al/