1500 km në ajër për të gjetur shtëpinë! Historia e pëllumbit kampion të Klement Veshos

Prej 28 vitesh, Klement Vesho e nis çdo mëngjes duke u kujdesur për pëllumbat e tij të garave. Një pasion që nisi në vitet e para të demokracisë, por që me kalimin e kohës u kthye në mënyrë jetese. Për pëllumbat ai thotë se ka hequr dorë edhe nga cigarja, kafeja dhe shumë kënaqësi të tjera. Paratë që dikur do t’i shpenzonte për vese, vendosi t’i investonte në pasionin e tij.
Sot, ky pasion i ka kushtuar mijëra euro, por shpërblimi për Klementin është emocionues.
Një nga pëllumbat e tij ka përshkuar rreth 1500 kilometra nga Berlini deri në Pogradec, për t’u kthyer në shtëpi. Një fluturim i jashtëzakonshëm që kërkon jo vetëm forcë, por edhe përgatitje të gjatë.
Ushqimi, vitaminat dhe kujdesi shëndetësor janë pjesë e pandashme e përgatitjes për gara. Klementi tregon se shpenzimet vjetore mund të arrijnë në 2-3 mijë euro, ndërsa mbështetja për këtë sport në Shqipëri është e kufizuar.
Megjithatë, pas 28 vitesh ai vazhdon të garojë me të njëjtin pasion. Tashmë pëllumbat e tij janë gati për një tjetër sfidë. Më 19 shtator, ata do të nisen nga Gjadri i Lezhës në garën e radhës.
Klementi do të presë me padurim kthimin e tyre në Pogradec, sepse për të, ata nuk janë thjesht pëllumba garash.