E Diel, 1 Nëntor 2026

20 profesionistë të rinj i bashkohen IKMT, Qëndro: Prurjet e reja do të garantojnë një institucion më të fortë

20 profesionistë të rinj i janë bashkuar Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), pas përfundimit të procesit të rekrutimit dhe vlerësimit. Ato do të angazhohen në strukturat e inspektimit në territor, mjedis dhe pyje.

Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qëndro, ka pritur disa prej punonjësve të rinj, duke vlerësuar përgatitjen profesionale dhe energjinë e re që sjellin punonjësit e rinj, ndërsa ka bërë të ditur se procesi i rekrutimit dhe riformatimit të IKMT-së vijon.

Në këtë kuadër, kryeinspektori ka falënderuar Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë për bashkëpunimin dhe referimin e të rinjve që kanë zgjedhur t’i bashkohen strukturave të IKMT-së.

Sipas Qëndros, kombinimi i eksperiencës së punonjësve aktualë me prurjet e reja profesionale synon të krijojë një institucion më të fortë dhe më të besueshëm, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe mjedisit, si dhe në shërbim të qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›