E Hënë, 2 Nëntor 2026

20 vjet banda muzikore “PAK” – Këshilli i Qarkut e nderon me titullin “Nderi i Qarkut Shkodër”

Në mjediset e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua këtë të hënë aktiviteti festiv për 20-vjetorin e themelimit të trupës muzikore për persona me aftësi të kufizuara, organizuar nga OJF “The Door Albania”.

Aktiviteti u hap me pjesë muzikore nga banda, duke sjellë emocione dhe duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Organizatori Kastriot Faci, vë theksin në rëndësinë e përfshirjes sociale përmes artit dhe muzikës.

“Është një proces i cili duhet të afrohet çdo ditë në mënyrë që shoqëria jonë të jetë më ë mirë dhe më solidare dhe gjithë secili të gjejë veten nëpërmjet asaj që ka aftësi të bëjë dhe jo nëpërmjet asaj që nuk mundet të bëjë” u shpreh Kastriot Faci.

Po ashtu, drejtuesi artistik Bep Vjerdha vlerëson dy dekadat e punës dhe përkushtimit të kësaj trupe.

Ndërsa drejtues artistik Bepin Vjerdha theksoi se, “ kjo bandë kur kanë punuar me mua vetëm kanë belbëzuar dhe nuk i dëgjohej fjala ndërsa sot këndojnë dhe i nxjerrin fill zërin e tyre”         

Një moment i veçantë ishte ndarja e çmimeve. Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, i akordoi bandës titullin “Nderi i Qarkut Shkodër”, ndërsa iu dha edhe çmimi i “Mirënjohjes” për Kastriot Facin dhe Bepin Vjerdha, për rolin e tyre në krijimin dhe mbështetjen e këtij formacioni muzikor.

Kryetar, Këshilli i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou  në fjalën e tij theksoi se, “ Ne nuk po shpërndajmë thjesht tituj dhe certifikata. Sot po nderojmë një histori të jashtëzakonshme, një shembull frymëzues se si arti dhe dashuria për njeriun mund të ndryshojnë jetë”.

Aktiviteti në kuadër të 20-vjetorit shërbeu si motivim për vazhdimin e punës në shërbim të artit dhe përfshirjes sociale në Shkodër.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›