2025 thyen rekordin e infektimeve nga HIV, Harxhi: Koha për zbatimin e barnave që e parandalojnë

Infeksioni seksualisht i transmetueshëm HIV është shumë aktiv në Shqipëri duke u kthyer kështu në një problem madhor për shëndetin publik.
2025-a pritet të thyejë të gjitha rekordet e infektimeve ndër vite. Mjeku infeksionist klinicist Arjan Harxhi tha për RTSH se ende pa u mbyllur mujori i vitit, nivelet e infektimeve deri tani kanë kapërcyer ato të viteve të shkuara.
“Për fat të keq këtë vit presim numrin më të lartë të rasteve të raportuara me infeksion HIV. Janë 125 raste për nëntë muaj, kur ndërkohë kanë qenë më pak se 120 për gjithë vitin e shkuar. Nga ana tjetër ka një rritje të rasteve të infeksioneve seksualisht të transmetueshme.”, u shpreh mjeku Harxhi.
“Për 2025 përgatitemi për rekordin e infeksionit HIV në Shqipëri. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator janë regjistruar 124 raste të reja. Përgatitemi të shkojë në mbi 140 raste të reja, një tregues i rëndësishëm i shëndetit publik.”
Të dhënat e nxjerra nga Prof. Harxhi tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë edhe në rajon për numrin e infektimeve.
“Në vendin tonë kjo është një sëmundje e meshkujve. 3/4 e të infektuarve janë meshkuj. Ne mendojmë se shumica e meshkujve të infektuar janë meshkuj që bëjnë seks me meshkuj.”
Nisur nga numri në rritje i infektimeve me HIV dhe sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme, por edhe nga dështimi i politikave të deritanishme parandaluese, mjekët sugjerojnë aplikimin e PrEP, ose siç njihet ndryshe profilaksisë para ekspozimit të rrezikut të infektimit, sidomos nga disa grupe të caktuara njerëzish.
“PrEP është marrja e një tablete që është një kombinim i dy antiretrovirale çdo ditë. Së fundmi kemi në lloj edhe injeksionet, por ndoshta mund t’i përkasin një të ardhme pak më të largët sepse bëhet fjalë për kosto më të larta.”
Profilaksia parandaluese e HIV nuk ofrohet në Shqipëri. Disa të dhëna tregojnë se ajo merret online nga disa individë të caktuar.
Për futjen e tij duhen strategji të posaçme nga autoritetet shëndetësore.
Në Europë vetëm 26 vende ofrojnë profilaksi parandaluese për HIV të financuar nga shteti.
Gazetzetare; Sonila Mlloja
/rtsh.al/