E Hënë, 2 Nëntor 2026

21 Janari, Berisha: Ishte krim shtetëror pa dashje

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha i cilësoi sot si “krim shtetëror pa dashje” vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë.

I pyetur nga gazetarët nëse ndante të njëjtin qëndrim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila i cilësoi vrasjet e 21 Janarit si “krim shtetëror”, Berisha, asokohe kryeministër i vendit, pohoi se “ishte krim shtetëror, por pa dashje”.

“A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Pse? Se unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror është krim shtetëror me dashje dhe krim shtetëror pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur quhet, kur shteti e merr të pafajshëm dhe e pushkaton”, u shpreh Berisha.

“Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse Garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Ky është dallimi. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo. Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka patur absolutisht asnjë urdhër”, tha Berisha jashtë godinës së SPAK pasi u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani”.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›