240 gjimnazistë nga 40 shkolla të vendit, pjesë e Festivalit Rajonal të Kompanive

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Festivali Rajonal i Kompanive të Nxënësve në Gjirokastër shërbeu si një platformë për promovimin e 44 produkteve dhe ideve inovative të të rinjve nga jugu i vendit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se në këtë festival, morën pjesë jo vetëm gjimnazistë gjirokastritë, por plot 240 gjimnazistë nga 40 shkolla të vendit.
Kumbaro tha se Qyteti i Gurtë i mirëpriti këta nxënës që prezantuan idetë inovative, teksa festivali u krijoi mundësinë të promovonin talentin për sipërmarrjet në fushën e teknologjisë, mbrojtjen e mjedisit, mbështetjen sociale e në plot disiplina të tjera.
Festivali Rajonal i Kompanive të Nxënësve synon fuqizimin e sipërmarrjes rinore, nxitjen e kreativitetit dhe krijimin e mundësive konkrete për zhvillimin personal dhe punësimin e tyre në të ardhmen.
Këto iniciativa ndihmojnë në promovimin e produkteve bio dhe punimeve artizanale të zonës, duke shfaqur potencialin e të rinjve për t’u bërë pjesë aktive e ekonomisë lokale.
/e.i/j.p/