E Diel, 1 Nëntor 2026

250-vjetori i Pavarësisë së SHBA, Balla: Më shumë se partner strategjik për Shqipërinë

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla ishte i pranishëm në shkollën e mesme profesionale “Charles Telford Erickson” në Golem, ku u zhvillua aktiviteti përkujtimor me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi marrëdhëniet e veçanta që lidhin Shqipërinë me SHBA-në, duke theksuar se ato shkojnë përtej partneritetit strategjik dhe mbështeten mbi besimin, mirënjohjen dhe vlerat e përbashkëta.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë thjesht një vend partner strategjik me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike e politike. Shqipëria ka me SHBA mbi të gjitha marrëdhënie besimi, mirënjohjeje dhe vlerash të përbashkëta”, u shpreh Balla.

Ai solli në vëmendje edhe rolin historik të presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili një shekull më parë mbrojti të drejtën e Shqipërisë për të ekzistuar si shtet i lirë dhe sovran, duke kundërshtuar copëtimin e saj në Konferencën e Paqes.

“Kur Shqipëria rrezikonte ekzistencën e saj si shtet, ishte presidenti amerikan Wilson ai që ngriti zërin dhe vendosi veton për të mbrojtur të drejtën e kombeve të vegjël për të jetuar të lirë dhe sovranë”, deklaroi Balla.

Drejtuesi politik i PS theksoi gjithashtu simbolikën e zhvillimit të aktivitetit në shkollën që mban emrin e misionarit amerikan Charles Telford Erickson, i cili kontribuoi në arsimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke sjellë modele moderne edukimi dhe formimi profesional.

Në përfundim të ceremonisë, Balla vendosi kurora me lule pranë bustit të Charles Telford Erickson, në shenjë nderimi për kontributin e tij në arsimimin dhe zhvillimin e brezave të rinj shqiptarë, si dhe si simbol të miqësisë së qëndrueshme mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

1 nga 4

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›