E Diel, 1 Nëntor 2026

30 vjet Prokurime Publike, Rama: Progresi ynë kundër korrupsionit është i padiskutueshëm, Shqipëria lider në rajon

Kryeministri Edi Rama, gjatë një fjalimi për 30-vjetorin e Prokurimeve Publike, theksoi se Shqipëria ka arritur një transformim rrënjësor në këtë sektor dhe se progresi i bërë në luftën kundër korrupsionit është i padiskutueshëm.

Rama u shpreh se dallimet e dukshme në pasqyrat e procedurave të reja të viteve të fundit tregojnë punën e jashtëzakonshme të agjencisë së prokurimeve publike dhe bashkëpunimin me komisionin e prokurimit publik, duke bërë Shqipërinë një vend lider në rajon për integritetin dhe efikasitetin e procesit të prokurimeve.

Kryeministri vuri në dukje edhe raportin e SIGMA-s, i cili renditi Shqipërinë në vend të parë, duke theksuar se ky sukses nuk është thjesht teknik, por rezultat i një reforme modernizuese të prokurimeve publike.

Rama
:

Erdha me kënaqësi sot këtu, sepse është fjala për një transformim rrënjësor që ka nevojë të vihet në pah dhe të komunikohet sa më shumë në një mjedis shumë të helmuar nga politika, nga gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, si edhe nga episode të caktuara që tregojnë vullnetin e plotë të pushtetit shqiptar për të luftuar në të gjithë frontet me problemin e madh dhe të trashëguar të korrupsionit.

Nuk tregojmë kurrësesi që në luftën kundër korrupsionit progresi është i diskutueshëm. Progresi ynë është i padiskutueshëm. Këtë e tregon qartë fakti se pasqyrat e të dhënave të të gjitha procedurave të reja të viteve të fundit kanë një dallim shumë të dukshëm nga ato deri disa vite më parë.

Ky dallim nuk është rastësi, por është rezultat i punës së jashtëzakonshme ku agjencia e prokurimeve publike, falë lidershipit të drejtoreshës së agjencisë, ka udhëhequr një proces në të cilin edhe komisioni i prokurimit publik është bashkuar, duke e bërë Shqipërinë të jetë një vend lider në rajon. Lider për integritetin dhe efikasitetin e procesit të prokurimeve publike.

Edhe në raportin e monitorimit të SIGMA-s, Shqipëria u rendit e para dhe me diferencë nga të tjerët. Deri disa vite më parë kjo ishte e pamendueshme.

Monitorimet nga institucionet që veprojnë për BE-në nuk janë raporte me të cilat ndeshemi çdo vit, që bazohen në perceptime publike dhe anketime shumë të diskutueshme. Ato bazohen në një nivel të dhënash shkencore dhe të qëndrueshme.

Raportet që punojnë për llogari të BE-së bazohen në integritet shumë të lartë dhe bëhen nga profesionistë që kanë një nivel të vëzhgimit dhe ambicie për të nxjerrë në pah çdo të metë që është sfiduese.

Vlerësimi i bërë nga SIGMA nuk është thjeshtë teknik, siç përpiqet ta minimizojë cilido që do të provojë të kundërtën; është vlerësim i rezultatit të një reforme modernizuese të prokurimeve publike.

BE, në çeljen e negociatave, kur përfshihet edhe kapitulli i prokurimeve publike, këtu flitet më shumë se në çdo kapitull tjetër. Janë vlerësime të njerëzve që, kur ulen në tryezë, zemrën e kanë lënë në shtëpi.

/vizionplus,tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›