E Hënë, 2 Nëntor 2026

35 vjet mes xhamave dhe pasqyrave, mjeshtri Muhamet Spada mes pasionit dhe sfidave të profesionit

Xhami dhe pasqyrat janë pjesë e përditshmërisë sonë, nga shtëpitë e deri tek automjetet që përdorim.

Pas çdo prerjeje të saktë qëndron puna e kujdesshme e mjeshtërve. Një ndër ta është Muhamet Spada, i cili na tregon sesi nisi rrugëtimi i tij në këtë zanat.

“Në kohën e demokracisë s’kisha ku të punoja dhe hyra si xhamaxhi. Bëra disa prova, masat, një fije kujdes… Arrita të dal në qëllimin tim,” thotë zanatçiu.

Ai tregon se cilat punime realizon më shpesh.

“Tani, për shembull, punoj pasqyra makinash që bëjnë karambole. Bëj xhama frigoriferi, dritaresh, xhama duralumini,” tregon ai.

Muhameti rrëfen se gjatë punës, nuk mungojnë edhe vështirësitë.

“Kam pasur raste kur kam prerë edhe damarë, por kam shkuar në spital. Sot për sot, prerësit, elmazi është special. Është i mirë dhe di ta përdor,” shpjegon xhamaxhiu.

Në vite, ai ka krijuar një lidhje të veçantë me klientët, të cilën e vlerëson po aq sa edhe zanatin e tij.

“35 vjet xhamaxhi. Jam 75 vjeç dhe mundohem të jem mirë me njerëzit për t’i lënë vend vetes. S’jam prishur kurrë me ta. Me lekë e pa lekë, sipas njerëzve, s’kam këqyrur që t’ua marr lekun. ‘Më jep çfarë të duash’,” thotë zanatçiu.

Për Muhamet Spadën çdo punë e kryer është një përgjegjësi që kërkon kujdes dhe saktësi, duke e bërë këtë zanat një sfidë të përditshme.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›