E Diel, 1 Nëntor 2026

35-vjetori i themelimit të PS-së në Fier, Rama: Protestat për mjedisin po keqpërdoren, naive të besohet se bota qan për flamingot

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në aktivitetin festiv dhe politik të organizuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në rrethin e Fierit. Ky stacion është pjesë e një turi kombëtar takimesh që kreu i qeverisë dhe i shumicës socialiste po zhvillon në disa qytete kryesore të vendit.

Organizimi në këtë sit historik ka mbledhur drejtuesit e qarkut, koordinatorët elektoralë, si dhe anëtarësinë e degës lokale të Fierit, e cila historikisht konsiderohet si një nga bastionet kryesore të kësaj force politike.

Rama nga Fieri: Protestat për mjedisin po keqpërdoren, naive të besohet se bota qan për flamingot

Gjatë takimit të organizuar në Apoloni me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Fier, Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit dhe protestat e zhvilluara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i qeverisë e cilësoi lëvizjen qytetare si një kauzë të përdorur, duke theksuar se pas retorikës mjedisore fshihen përplasje më të gjera gjeopolitike dhe fushata dezinformimi.

Sipas kryeministrit, vëmendja e paprecedentë nga jashtë vendit nuk vjen nga shqetësimi i sinqertë për ekosistemin lokal, por për shkak se Shqipëria është kthyer në një pikë rëndese për interesa të ndryshme.

Duke analizuar profilin e protestuesve dhe thirrjet e përdorura gjatë tubimeve në kryeqytet, Rama sqaroi se nuk i konsideron qytetarët si të nxitur nga agjentura të huaja, por vlerëson se një pjesë e mirë e tyre kanë rënë pre e narrativave fiktive dhe manipulimit politik nga formacionet e reja.

“Nuk them se njerëzit që dalin në protestë janë agjentë apo të futur nga agjentura. Por përveç një pjese që janë këta politikanët e rinj të partive të reja që u vjetëruan shpejt, është edhe një pjesë njerëzish që kanë rënë pre e kësaj. Ata që shqetësohen për mjedisin dhe që ‘Shqipëria nuk shitet’ ju duket gabimisht se bota është bota me ta. Gjithë ai sistem mediash në Evropë dhe Amerikë ju duket sikur po luftojnë për mjedisin e tyre. E menduar kështu është shumë naive.”

Kryeministri vuri në dukje se mbulimi masiv mediatik ndërkombëtar nuk justifikohet nga “dhimbja për flamingot e Zvërnecit”, por reflekton një përdorim të situatës së brendshme për agjenda të tjera.

Bilanci i faunës dhe efektet e moratoriumit, Rama: Ne kthyem flamingot dhe ndaluam masakrën 10-vjeçare të gjuetisë

Për t’iu përgjigjur akuzave mbi shkatërrimin e natyrës, kreu i ekzekutivit bëri një pasqyrë krahasuese të situatës mjedisore ndër vite. Ai kujtoi fenomenin e “turizmit të gjuetisë” që rrezikoi zhdukjen e specieve të rralla, një situatë që sipas tij mori fund vetëm pas masave të ashpra ligjore të ndërmarra nga qeveria socialiste.

Duke u ndalur te statistikat e biodiversitetit, Rama theksoi se institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes së jetës së egër janë në dijeni të progresit të bërë gjatë dekadës së fundit:

“Në Shqipëri, si në asnjë vend në Evropë, bëhej turizëm gjuetie. Kishte rrjet që binin njerëz me çifte me një sistem organizimi. Nuk ka pasur flamingo në Shqipëri sepse kjo lloj gjuetie që vinin nga vendet e tjera kishte bërë që të mos kishte fare. Flamingot u kthyen, dhe pelikani kaçurrel u shumua sepse kjo qeveri ndaloi për 10 vite gjuetinë. Pyjet janë ripërtërirë, jo aq sa duhet, por janë ripërtërirë. Pyje që ishin pa zogj sepse nuk ekzistonin më.”

Rama: Transparenca është normale, por kauzat mjedisore nuk duhet të përdoren politikisht

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Fier, ka ashpërsuar tonet ndaj organizatorëve të protestave, biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha. Tematika qendrore e fjalimit u fokusua te politikat mjedisore të qeverisë ndër vite dhe përplasjet e pretenduara me interesat klienteliste të së shkuarës.

Kreu i ekzekutivit e cilësoi kërkesën për transparencë mbi projektet zhvillimore si “normale”, por hodhi poshtë kërkesat politike që sipas tij fshihen pas kauzave mjedisore.

Duke komentuar tubimet e fundit kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan, Rama theksoi se ekziston një mospërputhje mes kauzës së deklaruar dhe kërkesave të artikuluara në shesh. Ai akuzoi drejtuesit e protestave për manipulim të opinionit publik dhe mungesë etike.

“Nëse dikush dhe disa dalin në protestë e kërkojnë që të jem i butë, ka një minimum etik që të përcaktohet se për çfarë është shqetësimi: Sazani, flamingot, Zvërneci. Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria. T’i kërkosh hesap brutal një shumice qeverisëse të zgjedhur, dhe ke guxim shumë të madh ta bësh këtë, tregon se nuk ke turp.”

Kryeministri ironizoi gjithashtu sjelljen e disa aktivistëve në terren, duke theksuar se “shkojnë në Zvërnec për protestë për flamingot dhe parkojnë makinat në vendin e tyre”.

Në fjalën e tij, Kryeministri mbrojti bilancin e Partisë Socialiste në mbrojtje të mjedisit, duke theksuar refuzimin e koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve (HEC-eve) mbi lumin Vjosa. Në këtë kontekst, ai sulmoi drejtpërdrejt biznesmenin italian Francesco Becchetti, me të cilin shteti shqiptar është në një betejë ndërkombëtare arbitrazhi.

“Kjo parti është ende në një betejë ndërkombëtare me një maskara i cili është kategoria e atyre nga e cila duhet të ruhet Shqipëria, të cilit iu hapën dyert e Shqipërisë, iu dha e drejta për të ndërtuar hidrocentral dhe për të bërë këtu të zotin e shtëpisë. Shqiptarët e kanë dëgjuar që këta që dalin deri në Tiranë ju kanë çuar letra nën derë, që i humbët ju 110 milionë euro për tekat e Edi Ramës.”

Akuzat ndaj opozitës për HEC-et në Valbonë

Për të përforcuar argumentin e tij mbi trashëgiminë mjedisore, Rama iu referua qeverisjes së kaluar të Partisë Demokratike, duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha si përgjegjës për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura të veriut të vendit. Sipas kryeministrit, faji për shkatërrimin e zonave natyrore i është faturuar padrejtësisht qeverisë së tij nga aktivistët e mjedisit, kur në fakt lejet ishin dhënë përpara vitit 2013.

“12 hidrocentrale të dhëna nga ai i mos-ozotshmi, që bjeshkët atje lartë i dhanë jetë, që njerëzit u vranë e sakatuan për t’i shkuar pas atij dhe që nuk u bëri as rrugën deri në Valbonë, por u la peshqesh 12 hidrocentrale. Dhe këta ambientalistët dhe llapaqorrat, ia hodhën në kurriz edhe aty PS-së.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›