E Diel, 1 Nëntor 2026

3D/Kalemaj : Politikanët kapen tek procedurat, por gjykata përcakton fatin e dosjes

Analisti politik Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit, komentoi mbi debatin e fundit që lidhet me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ai theksoi se vendimet për këtë çështje nuk merren në debate publike apo studio televizive, por vetëm në gjykatë.

“Ajo që duhet thënë për çështjen Veliaj është se debatet as fitohen dhe as vendosen në studio televizive, as në debatet publike, por në sallat gjyqësore. Çdo palë është në legjitimitetin e saj që të kapet tek procedurat, të ngrejë padi, por në fund është gjykata që do të vendosë për të gjithë procesin,” u shpreh Kalemaj.

Ai ngriti pikëpyetje mbi kohën kur po rikthehet në vëmendje figura e prokurorit Dado, duke kujtuar se kanë kaluar 18 vite nga momenti kur ai është emëruar.

“Ajo që më bën përshtypje është fakti pse kujtohen tani pas 18 vitesh që z. Dado është jashtë kritereve për të qenë prokuror? Sipas sistemit të kohës, ashtu ka qenë periudha atëherë dhe sikur prokurori Dado mos të ketë shkollën e Magjistraturës, por në atë kohë nga OPGJ janë bërë prokurorë,” tha Kalemaj.

Sipas tij, kjo nuk është mënyra e duhur për të kërkuar pas kaq vitesh largimin e një prokurori nga sistemi, sidomos kur ai ka kaluar kriteret profesionale, pasurore dhe vetë procesin e vetingut.

Kalemaj shtoi se në çështjen që përfshin Veliajn janë dy prokurorë, Ols Dadon dhe Altin Dumani, duke ngritur dilema mbi ndarjen e hetimit mes tyre.

“Këta janë dy prokurorë të çështjes Veliaj. Pra si do ndahet çështja tani mes z. Dado dhe z. Dumani? Dhe cilin ka hetuar njëri dhe tjetri dhe a e godet thelbin e çështjes hetimore, sepse janë 13 akuza,” u shpreh ai.

Analisti theksoi se Veliaj ka të drejtë të merret me procedurat, duke kujtuar se nuk është i vetmi politikan që ka përdorur këtë strategji.

“Veliaj ka të drejtë të merret me procedurat, sepse nuk është politikani i vetëm që ka bërë këtë. Çdo politikan është kapur tek procedurat,” përfundoi Kalemaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›