4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi e mbylli vitin 2025 në Kupën e Botës në Ski Alpine me një tjetër sukses ndërkombëtar.
Në ndalesën e 15-të të këtij kompeticioni, të zhvilluar në Semmering, Austri, 19-vjeçarja u rendit në vendin e tretë, duke siguruar podiumin e katërt për Shqipërinë gjatë këtij sezoni.
Me këtë rezultat, Colturi u pozicionua në vendin e 7-të të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine.
Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi arritjet skiatores që përfaqëson Shqipërinë. Sipas tij, Colturi, konfirmoi nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Një sukses i jashtëzakonshëm për 19-vjeçaren, e cila mban vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine. Lara Colturi numëron 4 podiume në 15 gara të sezonit 2025–2026, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2025 ka arritur 6 podiume në total, duke konfirmuar nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkroi Gonxhja.
1 nga 5/m.q/r.e/a.f/