E Diel, 1 Nëntor 2026

63-vjeçari humbi jetën pas një konflikti fizik në Vlorë, shpallen në kërkim 3 persona

Një konflikt i dhunshëm mes disa personave ka përfunduar tragjikisht në lagjen “Pavarësia 3” të qytetit të Vlorës, ku një 63-vjeçar ka humbur jetën dhe djali i tij ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi më datë 03 prill 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”.

Sipas hetimeve paraprake, tre shtetas  A. C. (31 vjeç), Xh. N. (34 vjeç), banues në Vlorë, dhe E. H. (23 vjeç), banues në Gjorëm, dyshohet se kanë goditur me grushte shtetasin B. A. (24 vjeç) dhe babain e tij, Ismail Aliaj (63 vjeç).

Si pasojë e goditjeve të forta, 63-vjeçari ka pësuar dëmtime kritike në fytyrë dhe në pjesën e grykës, duke ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ishte transportuar me urgjencë.

Djali i viktimës ka marrë lëndime më të lehta dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, autorët e dyshuar janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht janë shpallur në kërkim.

Policia e Vlorës po punon intensivisht për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›