63 vjet nga “Halili dhe Hajrija”, baleti i parë shqiptar

TIRANË, 13 janar/ATSH/ 63 vjet më parë, në 13 janar të vitit 1963, u vu në skenë baleti i parë shqiptar, “Halili dhe Hajrija”.
Vepra me të njëjtin titull e Kolë Jakovës, shkruar në vitin 1949, frymëzoi kompozitorin Tish Daia për kompozimin e vijës melodike. Ashtu si edhe drama, baleti ishte një himn kushtuar bëmave të luftëtarëve të Malësisë së Madhe ndaj zgjedhës turke të shekullit XVIII.
Koreograf i “Halilit dhe Hajrijes” ishte i mirënjohuri Panajot Kanaçi dhe u interpretua nga trupa e balerinëve të Teatrit të Operas dhe të Baletit (TOB) ndërsa orkestra u dirigjua nga Mustafa Krantja.
Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.
j.p/