E Diel, 1 Nëntor 2026

756 mijë llogari në Meta përfundojnë në kosh/ Australi, u përkisnin përdoruesve nën 16 vjeç

Platforma Meta ka çaktivizuar 756 mijë llogari në Facebook dhe Instagram në Australi, pasi dyshohet se u përkisnin përdoruesve nën moshën 16-vjeç, njoftoi kompania.

Sipas të dhënave të publikuara nga Meta, deri më 30 qershor janë çaktivizuar 462 mijë llogari në Instagram dhe 294 mijë në Facebook.

Australia është vendi i parë në botë që ka vendosur një moshë minimale kombëtare prej 16 vjeç për përdorimin e platformave të mediave sociale, me kufizimet që hynë në fuqi në dhjetor 2025.

Meta bëri të ditur se më shumë se 500 mijë llogari u hoqën përpara hyrjes në fuqi të ligjit, ndërsa pjesa tjetër është çaktivizuar gjatë muajve pasues.

Kompania tha se procesi i zbatimit të masave vijon dhe numri i llogarive të çaktivizuara pritet të rritet më tej.

Për identifikimin e përdoruesve që mund të jenë nën moshën 16-vjeç, Meta përdor edhe inteligjencën artificiale, e cila analizon postime, komente, biografi dhe tituj fotosh për të gjetur të dhëna që mund të tregojnë moshën e përdoruesit.

Këto përfshijnë, ndër të tjera, referenca për ditëlindjet apo klasat dhe notat në shkollë.

Ndërkohë, edhe vende të tjera kanë nisur të ndërmarrin masa për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale.

Franca ka vendosur kufizime për përdoruesit nën 15 vjeç, ndërsa Spanja, Malajzia dhe vende të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›