E Diel, 1 Nëntor 2026

90 miliardë euro kredi Ukrainës, Bashkimi Europian nuk dakordësohet për të prekur asetet e ngrira të Rusisë

Bashkimi Evropian do ti japë Ukrainës një kredi pa interes në vlerë prej 90 miliardë eurosh për të ndihmuar financimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Por pas bisedimeve që zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte, Unioni dështoi të miratonte propozimin për përdorimin e  aseteve të ngrira ruse për të mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit në vitet në vijim.

 “Ne u zotuam dhe i përmbushëm premtimet. Udhëheqësit e BE-së kanë miratuar një vendim për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh për dy vitet e ardhshme, të mbështetur nga buxheti i BE-së, të cilën Kievi do ta shlyejë vetëm pasi Rusia të paguajë dëmshpërblimet”, tha Antonio Costa, President i Këshillit Europian.

Financimi për Ukrainën është shndërruar në një çështje madhore për bllokun, teksa Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar mbështetjen e tyre financiare dhe shtete si Hungaria po shtyjnë përpara idenë e reduktimit të financimit.

Në ditët e fundit, Putin tentoi të fajësonte Evropën dhe Ukrainën për dështimin e çdo përpjekjeje për paqe, duke u shprehur se Rusia do të marrë me forcë më shumë territor, nëse Kievi dhe udhëheqësit evropianë, që ai i quajti derrkucë nuk ndjekin qasjen e duhur ndaj propozimeve amerikane.

Aktualisht, Moska kontrollon gati një të pestën e territorit të Ukrainës, dhe zyrtarët rusë vazhdimisht kanë deklaruar se nuk do të bëjnë kompromis lidhur me pesë rajonet ukrainase që Putin, pretendon se janë ruse.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›