A po përgatiten SHBA të godasin Iranin?

Shtetet e Bashkuara duket se po rrisin ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke ngritur pikëpyetje serioze nëse Uashingtoni po përgatitet për një tjetër sulm ndaj Iranit.
Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi një mesazh iranianëve që protestojnë kundër regjimit, duke deklaruar se “ndihma është rrugës”.
Që prej asaj kohe, është vërejtur një shtim gradual, por i qëndrueshëm, i forcave ushtarake amerikane në rajon.
SHBA-të, fuqia ushtarake më e madhe në botë, e ka treguar tashmë se është e aftë të godasë Iranin. Në qershor të vitit të kaluar, operacioni “Midnight Hammer” shënjestroi objektiva bërthamore iraniane, duke përfshirë mbi 100 avionë luftarakë, mes tyre edhe bombarduesit B-2 që u nisën direkt nga territori amerikan për të përdorur bomba “antibunker”, pa asnjë humbje.
Tani pyetja kryesore është: A po përgatiten SHBA-të ta godasin sërish Iranin?
Një postim i fundit i Donald Trump në rrjetet sociale e forcon këtë dyshim. Ai paralajmëroi Iranin se nëse nuk pranon një marrëveshje për kufizimin e programit bërthamor, “sulmi i radhës do të jetë shumë më i ashpër”. Trump foli për një “armatë masive” që po i afrohet Iranit dhe deklaroi se SHBA-të janë “gati, të aftë dhe të vendosur” të veprojnë me shpejtësi dhe forcë, nëse do të jetë e nevojshme.
Aktualisht, SHBA-të kanë rreth 50 mijë trupa ushtarake në Lindjen e Mesme. Rreth 10 mijë prej tyre ndodhen në bazën ajrore al-Udeid në Katar, ndërsa baza të tjera amerikane gjenden në Jordani, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman dhe Bahrein.
Sipas raportimeve nga burime të hapura, javët e fundit janë regjistruar dhjetëra avionë ushtarakë amerikanë që kanë mbërritur në rajon. Në bazën al-Udeid janë vërejtur struktura të reja, ndërsa në rrjete sociale është raportuar për ardhjen e avionëve luftarakë F-15, avionëve cisternë për furnizim në ajër dhe avionëve transportues. Disa prej tyre dyshohet se kanë sjellë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, çka tregon se SHBA-të po përgatiten edhe për ndonjë kundërpërgjigje të mundshme iraniane.
Edhe Britania e Madhe ka dërguar një skuadron avionësh Typhoon në rajon “për të forcuar sigurinë rajonale”. Ndërkohë, Forcat Ajrore Amerikane kanë njoftuar zhvillimin e një stërvitjeje të madhe ushtarake, të quajtur “Agile Spartan”, për të demonstruar aftësinë e tyre për dislokim dhe operim luftarak në zonën e Komandës Qendrore Amerikane.
Një element tjetër domethënës është mbërritja e një grupi goditës me aeroplanmbajtëse. USS Abraham Lincoln, që ndodhej në Indo-Paqësor, u urdhërua të ndryshojë kurs dhe të drejtohet drejt Gjirit Persik. Ky grup përfshin rreth 70 avionë, mes tyre edhe F-35 stealth, tre shkatërrues të armatosur me raketa Tomahawk dhe zakonisht shoqërohet nga një nëndetëse bërthamore.
Sipas ekspertit ushtarak Matthew Savill nga instituti RUSI, me këtë pozicionim ushtarak SHBA-të “mund të godasin pothuajse çdo objektiv në Iran”, përjashtuar vetëm instalimet më të thella nën tokë, që do të kërkonin përdorimin e bombarduesve B-2.
Sipas tij, SHBA-të kanë disa opsione. Mund të synojnë kapacitetet ushtarake iraniane, si raketat balistike dhe bateritë raketore bregdetare, për të kufizuar aftësinë e Iranit për kundërsulm. Një tjetër skenar do të ishte goditja e qendrave të pushtetit të regjimit, përfshirë Gardën Revolucionare dhe strukturat që shtypin protestat.
Megjithatë, përpjekja për të goditur drejtpërdrejt udhëheqjen iraniane mbetet shumë e rrezikshme dhe me pasoja të paparashikueshme. Edhe pse SHBA-të kanë aftësi për të eliminuar figura të larta, mbetet e paqartë se çfarë efekti real do të kishte kjo në rrëzimin e regjimit.
Donald Trump ka treguar më parë se është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake, por gjithashtu ka theksuar se nuk dëshiron të përfshihet në një konflikt të gjatë. Ndërhyrjet e tij kanë qenë të shkurtra dhe të kufizuara, ndërsa ai nuk e ka përjashtuar as rrugën diplomatike për një marrëveshje bërthamore me Iranin.
Sipas Savill, Trump tani duhet të balancojë dëshirën për t’u dukur vendimtar me mundësinë reale për të arritur një rezultat përfundimtar. Nëse paralajmërimet do të kthehen në veprime konkrete, mbetet për t’u parë shumë shpejt.