E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AIDSSH: Prof. Sami Repishti la pas trashëgiminë e një dëshmitari të së vërtetës

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të Prof. Sami Repishtit.

“Mbylli sytë sot, në paqe, në shtrat, pa dhimbje, mëndje kthjellet, rrethuar nga familja, Prof. Sami Repishti (1925-2024), një nga zërat më të fuqishëm të kujtesës historike dhe një figurë e ndritur e diasporës shqiptaro-amerikane”, u shpreh AIDSSH në një mesazh në rrjetet sociale.

I lindur më 6 prill 1925 në Shkodër, Prof. Repishti vuajti burgjet dhe torturat çnjerëzore të regjimit komunist në Shqipëri, duke mbetur një simbol i rezistencës dhe i mbijetesës.

Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.

Në kujtimet e tij shprehet se për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit.

Pas lirimit dhe arratisjes drejt lirisë, ai ndërtoi një karrierë të shkëlqyer akademike në SHBA, ku punoi pa u lodhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve në mbarë botën.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) nderon kujtimin e tij të paharruar dhe trashëgiminë që ai la pas, si një dëshmitar i së vërtetës dhe një luftëtar për drejtësi. Librat e tij, si “Nën Hijen e Rozafës” dhe “Pika Loti,” janë thesarë të kujtesës kombëtare.

“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në veçanti mbesës së tij Ardita Repishti, një trashegimtare e denjë  për punë të mira dhe misionare e kujtesës, kolege e çmuar dhe plot kontribute, si axha i saj”, thuhet në mesazhin e AIDSSH.

“Prof. Repishtit do të jetojë përmes fjalës, librave dhe kujtimeve që la pas, përfundon mesazhi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›