AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur sot se vendimi i marrë pak ditë më parë ndaj disa pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore nuk ka të bëjë me marrëveshje të shkruara apo formale mes tyre.
Sipas Autoritetit, shkelja lidhet me faktin se këto subjekte kanë vepruar njësoj në treg, duke bashkërenduar çmimet dhe sjelljen e tyre, edhe pa pasur kontakte të drejtpërdrejta mes njëri-tjetrit, gjë që ndalohet nga ligji për konkurrencën.
“Vendimi i marrë ndaj disa pikave të grumbullimit nuk lidhet me marrëveshje formale mes tyre, por me sjellje të bashkërenduara në treg, të cilat ligji i ndalon edhe kur nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes subjekteve”, bën të ditur Autoriteti i Konkurrencës.
Autoriteti bën të ditur se të gjitha palët janë dëgjuar gjatë procedurës dhe kanë pasur mundësi të paraqesin shpjegimet e tyre, ndërsa vendimi është marrë pas një analize ligjore dhe ekonomike të funksionimit të tregut.
Në sqarim theksohet gjithashtu se vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë të detyrueshme për zbatim, edhe në rastet kur subjektet vendosin t’i ankimojnë ato në gjykatë.
Sipas institucionit, qëllimi i ndërhyrjes është të sigurojë konkurrencë të ndershme në treg, të mbrojë fermerët nga çmimet e diktuara dhe të garantojë një treg transparent dhe funksional për produktet bujqësore.
Autoriteti i Konkurrencës përfundoi disa ditë më parë hetimin në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, duke konstatuar shkelje të rënda në dëm të fermerëve.
Në mbledhjen e 26 nëntorit 2025, Komisioni i Konkurrencës vendosi se gjashtë ndërmarrje grumbulluese kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë sezonit, duke diktuar çmime të ulëta për fermerët dhe duke aplikuar fitime shumë të larta, deri në 115%. Për këtë arsye, ndaj tyre janë vendosur gjoba deri në 0,15% të xhiros vjetore.
Autoriteti thekson se kjo sjellje ka kufizuar konkurrencën dhe ka dobësuar pozitat e fermerëve, të cilët përballeshin me mungesë negocimi dhe vonesa në pagesa. Vendimi synon të rikthejë konkurrencën e ndershme dhe çmime më transparente në treg.
Ndërmarrjet e gjobitura janë urdhëruar të afishojnë çmimet dhe do të monitorohen për një vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas institucionit, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar të fruta-perimeve, në mbrojtje të fermerëve dhe të konsumatorëve.
/a.f/