AKSK dhe CISA thellojnë bashkëpunimin për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe koordinimi për përballimin e incidenteve kibernetike ishin në fokus të një takimi zyrtar në Uashington, D.C., mes Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturës së SHBA-së.
Delegacioni i AKSK-së, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm Bledar Kazia, zhvilloi bisedime me përfaqësues të CISA-s për zgjerimin e bashkëpunimit operacional dhe shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet kibernetike.
Gjatë takimit u diskutua edhe për koordinimin në menaxhimin dhe reagimin ndaj incidenteve, si dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale përmes trajnimeve të specializuara, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të ekspertizës.
AKSK vlerësoi partneritetin me CISA-n dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke riafirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta.
Sipas AKSK-së, këto iniciativa synojnë forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike të vendit, si dhe rritjen e aftësisë për të parandaluar dhe përballuar kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike.
/e.i/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
