E Diel, 1 Nëntor 2026

AKSK paralajmëron qytetarët për faqet false që imitojnë platformën “e-Albania”

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njoftoi se është identifikuar një rast phishing i shpërndarë përmes rrjeteve sociale, kryesisht në platformën Facebook, ku përdoruesit ridrejtohen në faqe të rreme që imitojnë platformën zyrtare “e-Albania”, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe kredencialeve të aksesit.

Sipas AKSK-së, menjëherë pas identifikimit të aktivitetit keqdashës janë ndërmarrë masat përkatëse, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë skemë janë dërguar pranë AKEP për bllokim.

Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të platformave online, duke shmangur klikimin në linke të dyshimta që shpërndahen përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të komunikimit.

Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të mos vendosin të dhëna personale apo bankare në faqe të paverifikuara dhe të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të platformave përpara identifikimit.

AKSK thekson se platforma zyrtare “e-Albania” aksesohet vetëm përmes adresave institucionale të konfirmuara, ndërsa sulmet phishing synojnë mashtrimin e përdoruesve përmes imitimit të faqeve të njohura, duke kërkuar vigjilencë të shtuar në hapësirën digjitale.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›