AKU: Vezët pa salmonelë, kontaminimi ndodhi në ambientet e kopshtit të Gramshit

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) sqaroi opinionin publik lidhur me situatën në kopshtin Nr. 1 në Gramsh, pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin vezë.
Sipas AKU-së, mostrat e marra nga prodhuesi i vezëve dhe subjekti furnizues, që furnizonte edhe kopshtin, kanë rezultuar negative për salmonelë spp. Gjithashtu, testimet në fermën e shpendëve gjatë muajit maj 2025 treguan se shpendët janë të shëndetshëm dhe pa praninë e salmonelozës.
Nga ana tjetër, mostrat e marra në ambientet e kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar pozitive për salmonelë spp, duke treguar se kontaminimi ka ndodhur në ambientet e kopshtit dhe jo përmes vezëve të furnizuara.
AKU thekson se postimet në disa rrjete sociale, të ndryshme nga ky njoftim zyrtar, janë të pasakta dhe përbëjnë dezinformim publik.
“Sipas ligjit “Për ushqimin” dhe VKM 760/2015, procesi i gjurmueshmërisë është i detajuar dhe përfshin gjithë hallkat e zinxhirit ushqimor, duke nisur nga subjekti i ngjarjes, furnizuesi e deri tek prodhuesi. Komente të papërgjegjshme dhe të parakohshme mbi rezultatet e analizave janë të papranueshme dhe mund të sjellin masa ligjore”, informoi AKU.
AKU paralajmëron se kushdo që bën deklarata të pasakta mund të jetë objekt i procedimeve penale.
Institucioni garanton angazhimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet për mbikëqyrjen e situatës dhe për informim të saktë publik. /j.p/