AKU bllokon 1200 kilogramë pluhur ëmbëlsirash, u importua nga Turqia

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar produktin “Red Forest Fruit Cake”, në vendin tonë pas një njoftimi të ardhur nga sistemi evropian i alarmit për ushqimin RASFF.
Sipas njoftimit të AKU-së, thuhet se sasia totale e këtij produkti të importuar në Shqipëri është 1200 kilogramë.
RASFF sinjalizoi se në vendin tonë është futur pluhur frutash me origjinë nga Turqia, brenda të cilit ndodhet pigmenti i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU, bëhet fjalë për pigmentin “e kuqe reaktive 141”, një substancë e paautorizuar për përdorim në ushqime dhe me rrezik potencial serioz për shëndetin, e identifikuar fillimisht nga autoritetet greke.
Njoftim i plotë:
Në vijim të njoftimit të kategorisë Njoftim informues për ndjekje nga Sistemi RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) ku pas kontrolleve të kryera nga Greqia, është konstatuar “Pigment i paautorizuar (e kuqe reaktive 141) në pluhur frutash, me origjinë nga Turqia”, duke përbërë risk me ndikim potencial serioz për shëndetin e njeriut, ju informojmë si vijon:
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:
Kategoria e produktit: ushqime të përziera
Emri i produktit në etiketë: 1.RED FOREST FRUIT CAKE Σ.15kg (përzierje frutash)
– LOT 2506101 & Datë Skadence: 11/10/2025
– LOT 2514101 & Datë Skadence: 01/05/2026
– LOT 2514102 & Datë Skadence: 01/05/2026
AKU pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmësisë, ka bllokuar sasinë e gjetur në subjekte të produktit Red Forest Fruit Cake me destinacion asgjësimin.
/e.i/a.f/