AKU gjobit një subjekt në Fier, tregtonte pa licencë produkte për mbrojtjen e bimëve

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka gjobitur dhe i ka bllokuar aktivitetin një subjekti në qarkun e Fierit, që tregtonte Produkte për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) pa licencën përkatëse. Masa është marrë në kuadër të kontrolleve zyrtare të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AKU Fier, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.
AKU njofton se, gjatë inspektimeve të zhvilluara në 16 subjekte që tregtojnë PMB në këtë qark, 5 subjekte janë ndëshkuar me masa administrative me “paralajmërim”, ndërsa ndaj subjektit që operonte pa licencë është vendosur masë administrative “gjobë” dhe bllokim i aktivitetit deri në pajisjen me licencë.
AKU bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit dhe për të garantuar një treg të ligjshëm dhe të sigurt për produktet ushqimore dhe ato të mbrojtjes së bimëve.
/e.xh//r.e/