AKVMB konfirmon rastin e parë të murtajës së ruminantëve të vegjël në Shkodër

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka konfirmuar rastin e parë të murtajës së ruminantëve të vegjël (PPR) në Shqipëri.
Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të caprinëve (dhi) në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër.
Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës në terren.
AKVMB u bëri thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave.
“Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366”, bën thirrje AKVMB.
AKVMB thekson se murtaja e ruminantëve të vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thekson se në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.
/a.f/