E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANALIZË – BE mbron të miturit duke ushtruar presion mbi rrjetet sociale

BRUKSEL, 10 tetor /ATSH-AFP/ – Gjatë një takimi të zhvilluar sot BE-ja ushtroi presion mbi kompanitë e aplikacioneve në lidhje me mbrojtjen e të miturve, duke kërkuar llogari nga Apple, Google, Snapchat dhe YouTube, ndërsa disa shtete anëtare u shprehen në favor të ndalimit të mediave sociale për fëmijët.

Komisioni Evropian dëshiron të sigurohet se kompanite e aplikacioneve Apple dhe Google (App Store dhe Google Play), rrjeti social Snapchat dhe YouTube po përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Rregullorja e Përmbajtjes Digjitale (DSA).

“DSA parashikon qartë se kur fëmijët përdorin shërbime online, duhet të zbatohen nivele shumë të larta të mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë, por nuk ndodh gjithmonë kështu”, u ankua komisionerja Evropiane për Çështjet Digjitale Henna Virkkunen, para një takimi të ministrave evropianë të Telekomunikacionit.

“Kjo është arsyeja pse Komisioni po e ashpërson zbatimin e ligjit dhe ne kemi dërguar kërkesa për informacion në katër platforma”, shtoi ajo.

– Lojërat e fatit dhe përmbajtja seksuale –

Komisioni është i shqetësuar për mundësinë që të miturit kanë për të shkarkuar përmbajtje potencialisht të dëmshme ose të paligjshme nga Apple Store ose Google Play, siç janë aplikacionet e basteve ose aplikacionet që lejojnë krijimin e përmbajtjeve seksuale.
Lidhur me Snapchat, Komisioni e pyeti rrjetin për mënyrat e verifikimit të moshës së përdoruesve të tij dhe çfarë masash merren për të parandaluar fëmijët ta përdorin atë për të blerë cigare elektronike apo edhe drogë.

Platforma e videove e Google, YouTube, do të duhet gjithashtu të shpjegojë se si e verifikon moshën e përdoruesve dhe në çfarë mase e merr parasysh këtë moshë në rekomandimet e saj për përmbajtje. Kjo për shkak se është kritikuar disa herë për përmbajtje të papërshtatshme që u ofrohet fëmijëve.

Snapchat siguroi se po punon për t’u ofruar përdoruesve të tij një mjedis që i jep përparësi sigurisë së tyre dhe zvogëlimit të rreziqeve dhe dëmeve të mundshme.

Google, rikujtoi se u bënë vite me radhë që punon me ekspertë të zhvillimit të fëmijëve në mënyrë që t’u ofroje atyre përvoja të përshtatshme në shërbimet e dhëna, përfshirë YouTube, me kontrolle të forta prindërore dhe mbrojtje të përparuara për përdoruesit e rinj.

Këto masa, të cilat ende nuk jane zyrtare, mbështeten në arsenalin e gjerë ligjor që Evropa ka në dispozicion për të rregulluar teknologjinë përmes DSA-së.

Shkeljet e këtij ligji mund të rezultojnë në gjobitje të platformave deri në 6% të xhiros së tyre vjetore globale.

– Ndalimet –

Brukseli ka hapur tashmë hetime të shumta sipas DSA-së, duke synuar Meta, Facebook dhe Instagram, si dhe TikTok, X dhe faqen e internetit AliExpress.

Komisioni njoftoi këto kërkesa të reja për informacion gjatë një takimi të ministrave evropianë të Telekomunikacionit, ku çështja e ndalimit të mediave sociale për fëmijët ishte në agjendë.

Disa shtete anëtare janë shprehur në favor të një mase të tillë, duke filluar me Danimarkën, e cila mban presidencën e radhës të BE-së dhe priti takimin në Horsens.

Shteti nordik njoftoi këtë javë se synon të ndalojë disa platforma të mediave sociale për fëmijët dhe të rinjtë nën 15 vjeç.

Ministrat nga 25 vende të BE-së, si dhe Norvegjia dhe Islanda, nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të miturve në internet, veçanërisht përmes sistemeve të verifikimit të moshës, dhe duke shprehur mbështetjen e tyre për iniciativën e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ajo nisi një diskutim mbi zbatimin e mundshëm të një moshe digjitale në të gjithë BE-në dhe i kërkoi një paneli ekspertësh të paraqisnin rekomandime deri në fund të vitit.

“Është thelbësore të thellojmë njohuritë tona për efektet e mjedisit digjital në shëndetin e fëmijëve. Nuk mund të lejojmë që rrjetet sociale të vendosin kufij moshe”, thekson deklarata e përbashkët./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›